Adem Demaçi përkujtua në Amerikë

Ish luftëtarët e Batalionit Atlantiku nga Amerika, mbajtën në Nju Jork tubimin përkujtimor për të nderuar jetën dhe veprën e Adem Demaçit

 

Nga Beqir Sina

YONKERS NY: Të dielën në Nju Jork, ish luftëtarët e Batalionit Atlantiku nga Amerika, mbajtën tubimin përkujtimor për të nderuar jetën dhe veprën e Adem Demaçit. Veprimtari i çështjes shqiptare, fituesi i çmimit Saharov, u nda nga jeta në moshën 82 vjeç.

Tubimi përkujtimor u mbajt në të njëjtin vend – lokalin Royal Regency Hotel, në Tuckahoe Rd, në Yonkers, të Nju Jorkut, vendin ku 19 vjet më parë, djem e vajza nga Amerika, veshën uniformat e UÇK-së dhe kapën armët duke lënë Amerikën dhe duke shkuar për të luftuar për çlirimin e Kosovës.

Ky tubim u mbajt nën organizimin dhe kujdesin e Shoqatës Atlantiku, drejtuesve të saj, me pjesëmarrjen e dhjetëra vetëve, të cilët vinin nga e gjithë zona e Tri-Shtetshit , Nju Jork, Nju Xhersi, dhe Kenektiket.

Në këtë përkujtimore oratorët që morën fjalën sollën kujtimet e tyre, duke treguar për veprën e aktivistit të madh të çështjes kombëtare Adem Demaçit, për lirinë e pavarësinë e Kosovës, në këtë ndarje të dhimbshme fizike, përplot me shumë kujtimet e tyre, që ata thanë se do ta përjetësojnë Bacën Adem, duke e kujtuar sa të jenë gjallë, ashtu si e njohën : me shumë respect, për virtytet e tij të veçanta çfarë e kishin karakterizuar personalitetin e tij – si një njeri me karakter të fort kombëtar gjatë gjithë jetës së tij.

Tubimi përkujtimor u hap më intonimin e dy hymneve kombëtare të SHBA dhe Shqipërisë.

Ndërsa me një minutë heshtje ju dha një nderim e respekt Adem Demaçit.

Tubimin përkujtimor e drejtojë Shpend Gjoçaj – cili foli në fillim për tërë jetën dhe veprën e Adem Demaçit, deri sa ai u nda nga kjo jet më 26 korrik 2018, në moshën 82 vjeçare.

Anëtari i Këshillit Bashkiak të Nju Jorkut, Mark Gjonaj, e përshkrojë në fjalën e tij Demaçin si frymëzues i atdhedashurisë, dhe symbol të rezistencës tonë kombëtare kampionin shqiptar të lirisë së mendimit jo vetem ne Kosove, Shqiperi, e trojet shqiptare, por edhe te shqiparet e Amerikes.

Gani Shehu, Kryetar i Shoqatës Atlantiku , i cili ka qenë komandat i UÇK-ës, kur Adem Demaçi ishte zëdhënsi i saj, duke përkujtuar jetën dhe veprën e simbolit të rezistencës kombëtare Adem Demaçi, tha se emri i Adem Demaçit, në kohën e okupimit serb ishte shkëndija dhe shpresa e lirisë që futej në zemrat e çdo shqiptari liridashës !

“Asokohe, sapo të dëgjohej vetëm emri i Adem Demaçit dhe romanit të tijë “Gharpinjtë nga Gjaku”, askush nuk kishte as edhe fotografi të tij, sepse edhe ajo ishte rreptësisht e ndaluar , por populli shqiptar në mendjen e tij, e kishte krijuar imazhin se si dukej Adem Demaçi. Në mendjen e popullit Adem Demaçi dukej si shpresa për lirinë dhe pavarësinë!!”

Më tej Shehu, tha se 28 vite në kazamatet serbo-jugosllave, nuk e thyen bacën Adem as për një moment të vetëm .

“Ai vetëm kalitej dhe bëhej pishtar i lirisë dhe pavarësisë së popullit të Kosovës! Përmasat e sakrificës së këtij burri ishin mbinjerëzore Qëndrimi i tij kritik pas lirimit nga burgu ndaj zhvillimeve politike ishte udhërrëfyes se si të punohet drejtë dhe të mos bëhen gabime në dëm të çështjes kombëtare . Kosova dhe shqiptarët ishin me fat të madh që rritën një personalitet siq ishte Adem Demaçi! Ai ishte autoritet politik,kulturor dhe moral i shqiptarëve!! Ai ishte i pakrahasushëm . Lavdi jetës dhe veprës tënde baca Adem !! Të qoftë i lehtë dheu i Kosovës që sakrifikove aq shumë për të!!” u shpreh Gani Shehu.

Diplomati Ylber Kryeziu, zëvendes ambassador i Konsullatës së Kosovës në Nju Jork, duke falenderuar ish Batalionin Atlantikut – dhe në veçanti, zotin Gani Shehu, për organizmin e këtij takimi perkujtimor për burrin e madh të Kosovës, simbolin e përjetshëm të rezistencës kombëtare, Adem Demaçin, tha se ne, sot, po përjetojmë kontributet e një brezi të tërë, të atyre që u angazhua në lirinë e popullit të Kosovës të cilit, baca Adem i vendosi idealin e atdhedashurisë dhe vetëdijen për krijimin e shtetit.

“Emrin e tij, guximin e tij, vizionin dhe vendosshmërinë e tij e gjëjmë kudo, në të gjithë intensitetin e ngjarjeve me kritike, që ka kaluar populli ynë. Që nga revolta e tij kundër pushtetit të egër teë Rankoviqit, njerëzit e të cilit e kishin gjithmnonë në shenjestër, në një kohë izolimi pa shpresë, kur kombi jetonte nën renë e zezë të sistemeve të egra dhe në mungese totale të shprehjes dhe veprimit të lire”.

Kryeziu, e permendi Adem Demaçin, prej nga agimi i levizjes studentore, ku një brez intelektualesh, veç të tjerash, u bashkuan edhe rreth qëllimit për lirimin e tij.

“Njerëzit, filluan ta quanin me të drejtë Gandi i Ballkanit, tha ai dhe të cilin shumë prej tyre shihnin edhe si përfaqesues të vetëdijes kombëtare. Së bashku me Presidentin Rugova, ata ishin dy figurat e vetme nga e gjithe hapsira e Ballkanit, që u nderuan me çmimin Saharov nga Parlamenti evropian. Padyshim që kjo flet shumë, për një popull të vogël si Kosova. Aqsa kjo kishte ndikuar që opinioni ndërkombëtar teë ketë një interesim më të madh, për ta njohur popullin e Kosovës dhe më vonë edhe për ta mbështerur atë në rrugën e vetë të pavarësisë.”

Ish-Drejtori Ekzekutiv Fondacionit “Vendëlindja Thërret”, për SHBA dhe Kanada, z. Shefki Mexhani, duke përkujtuar : jetën, veprën dhe shëmbëlltyrën e emblemës së lirisë së Kosovës, Bacës Adem Demaçi, tha se : “Vetë historia njerëzore, filloi me ekzistencën e Ademit, kurse ekzistenca e kombit shqiptar, ndërlidhet poashtu me dy Ademët tanë, me Adem Jasharin dhe Adem Demaçin, si symbol të rezistencës, skarificës, lirisë dhe ndërgjegjes sonë kombëtare. Pra, jemi me fat si komb , që në rrethant më të errta të historisë, gjithmonë kishim personalitete që ndriçonin rrugën tone”.

Ish-Drejtori Ekzekutiv Fondacionit “Vendëlindja Thërret”, bëri thirrje që një bust i Adem Demaçit, të vendoset në Nju Jork, ku ai erdhi për her të parë në liri, dhe vendin ku u themelua dhe u organizua Batalioni Atlantiku, me djem e vajza shqiptar, që shkuan të luftojnë për liri.

Veprimtari i njohur Gjek Gjonlekaj, ish gazetar e publicist tha se: “Kosova dhe Adem Demaçi ishin alfa dhe omega për koloninë shqiptare të Amerikës. Sot e kësaj dite tingëllojnë dhimbshëm në shpirtin tonë thirrjet anglisht: “Free Kosova”, “Free Adem Demaçi”. Këto lutje hyjnore u dëgjuan anë e përtej Shteteve të Bashkuara. U dëgjuan në këtë “shtet-planet” do të kishte thënë një rapsod i njohur shqiptar. Më në fund pas pothuajse tri dekadash iu hoqën prangat Prometheut të Kosovës. Dalja e tij nga burgu gëzoi botën liridashëse në përgjithësi dhe shqiptarët atdhetarë në veçanti. Lirimi i profetit shqiptar Adem Demaçi paralajmëronte, lirinë e pavarësinë e Kosovës. Për vuajtjet dhe sakrificat e tij u prit dhe u nderua njësoj si lajmëtarët në kohërat biblike. Kthimi i këtij Moisiu shqiptar në “tokën e premtuar”, u prit me gëzim e hare, dhe qysh atëherë e sot, nuk i ndalua asnjë çast aktivitetet e tij për të mirën e popullit shqiptar, pavarësisht kërcënimeve, sharjeve, fyerjeve dhe shpifjeve, shumë herë nga disa grupime të mbrapshta.

Shahabaze Vishaj Grajcevci shkrimtare dhe studjuese, lexoi, një pjesë nga romani  i autorit Adem Demaçi: “Të shkruash për veprimtarinë e Adem Demaçit nuk është e lehtë pasë parasysh vlerat e opusit të tij letrar. Opus ky që përbëhet nga 7 romane, 1 dramë, 1 përmbledhje me tregime dhe 1 permbledhje me poezi. Krijimtaria e Demaçit, e në veçanti proza e tij sjell te lexuesi jo vetëm përvojen jetësore të autorit, tablot nga e kaluara e popullit shqiptar, vizionin prozaik, ku gërshetohet historia, miti, legjenda por sjell edhe ide, porosi dhe zërin ndërgjegjësues të kohës. Zë ky i cili lidhet me faktin dhe tragjikën historike të popullit shqiptar.

Që në faqën e pare të romanit autori na jep përshkrimin artistik të kohës, ku thotë: “Dielli derdh nxehtësinë duke përcëlluar çdo gjë nën vete. Bucina buzë Prroit të Thatë, në Koliq, është bërë pothuajse tokellinë e rrjepcuaruar nga bari, duket si lëkura e lopes së zgjebosur… fijet e rralluara të barit e kanë humbur çehren e blertë. Ato i janë katrrithur tokës vetëm për një pike ujë e cila vetëm ua tregon buzët e veta të shkrumbuara dhe të plasaritura. Këto fije përkundën kalamendshëm nën puhinë e plogët e u ngjajnë krijesave të dobëta të cilat rrijnë të zdërvajura përdhe dhe me shkimin të drejtuar kah kupa e qiellit… Proza përkatësisht romani “Gjurprinjtë e gjakut”, është roman origjinal, specifik dhe metaforë sipas strukturës estetike, nga se metafora e vetë këtij romani është mendimi bosht “Jo atyre që janë trima ta ngrejnë gishtin e krimit, por atyre që janë burra të shtrijnë dorën e pajtimit…”

Nisur nga ky mendim – metaforë e romanit, kuptojmë se këtu flitet kur ka pasur “trima” të krimit që këtu luftohen artistikisht dhe “burra që shtrijnë dorën e pajtmit”, e që në roman vlerësohen si pjesë e zgjidhjes ose si thurje e gardhit të së mirës së përgjithshme ose si kundërvënie ndaj “ortekut të gjakut”. Këtë e pasqyron në hollësi autori për ta kuptuar se shumica e popullatës, nuk e kanë njohur mirë strukturën e robërisë, ku ishte instaluar vëllavërasja e gjakmarrja “orteku i gjakut” si dhe paragjykimet e tjera, ku më shumë i përshtateshin kohës së robërisë sesa që ishin kundër saj. Ky ortek gjaku pasqyrohet nga një galeri personazhesh të realitetit jetësor të kohës.

Edhe fundi i romanit “Gjarprinjtë e gjakut” e sugjeron gjetjen e kodit kundër ortegjeve të gjakut, që do të thotë dalje nga gëzhoja, çlirimin shpirtëror me anë të së cilit arrihet vetëdija e veprimit kundër territ të robërisë. Këtë çlirim shpirtëror nga paragjykimet e kohës, autori e ka paraparë si parakusht të çlirimit fizik të atdheut nga pushtuesi. Këtë kod çlirues shumë shqiptarë si brenda atdheut dhe jasht tij bashkë me autorin e librit, e bënë realitet me betejen praktike për çlirimin e Kosovës dhe krijimin e Shtetit Demokratik të Republikës së Kosovës, gjithnjë në funksion të ribashkimit kombëtar të të gjithë shqiptarëve. Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit! ”

Me një kujtim nga njohja e gjatë e ti për së afërmi – dhe si mik i pari i tij në SHBA, dhe shumë të ngusht dhe për një kohë të gjatë, deri sa ai mbylli syt, të Adem Demaçit, në Amerikë, foli veprimtari njohur të komunitetit z. Shaqir Gashi, publicist dhe autor i libirt “Faleminderit Amerikë!

Gashi, tregojë se sa ishte tronditur nga lajmi për vdekjen e Adem Demaçit, me të cilin për shumë dekada nuk e ndau asgjë, as largësia e madhe e emigrimit, mbasi edhe këtu në Amerikë, shtëpia e Shaqir Gashit, u bë shtëpia e Adem Demaçit, ku u organizua veprimtaria e tij në SHBA.

“Thonë se epokat e ndryshojnë njerëzimin , tha miku i tij i përjetshëm, Shaqir Gashi, por të rrallë janë ata njerëz si Adem Demaçi që i ndryshuan epokat”.

“Ishte ndryshe, ndryshe nga çfar jemi mësuar të shohim e të lexojmë. Ngase, nuk ishte vetëm shkrimtar, vetëm veprimtar i çështjes kombëtare , vetëm i ditur, vetëm patriot ,veteëm i përndjekur, i kishte te gjitha, dhe ishte unik. Ai na bashkoj të gjithëve , na dha kurajo të besonim në të pamundurën dhe të luftonim për atë çfar ishte e drejtë. Vitet që i kaluam bashkë në New York, dhe vende tjera të botës në shërbim të përhapjes së kauzës shqiptare do të mbesin pikë kthese në fitoren e luftës për liri dhe më pas për pavarësinë e Kosovës, tha miku, shoku, dhe bashkëveprimtari i ngushtë, nga Amerika, Shaqir Gashi, duke shtuar se “Vepra e tij do të studiohet në shekujt e ardhshëm, ndërsa ne të gjallët do jemi krenar që punuam bashkë për çështjen kombetare.”

Mbas zotit Gashi, foli Marko Kepi kryetari i Organizatës Rrënjët Shqiptare i cili tregojë se sa kishte qenë qysh fëmijë i frymëzuar nga vepra dhe jeta e Adem Demaçit.

Veprimtari Esad Gjonbalaj ish kryetari fondacionit Plavë e Guci, dhe activist erdhi në këtë përkujtimore më një këndvështrim të tij “Adem Demaçi në kujtesën e Plavë – Gucisë”

“Popullata e Plave Gucisë qe nga okupimi i saj nga Mali i Zi, në nëntor te vitit 1912 përjetoj dhe i ishte ekspozuar dhunës se egër barbare si në kohën e Mbretërisë Jugosllave dhe po ashtu të asaj Titiste. E ngujuar gjeografikisht në trekëndëshin mes Shqipërisë, Kosovës e Malit të Zi ku gjatë 47km Plava e Gucia kufizohet me toka shqiptare e vetëm 11km me Malin e Zi, kjo oazë e trungut të atdheut të copëtuar gjithmonë shikonte përtej bjeshkëve drejt Kosovës, sepse siç thoshte në vazhdimësi veterani i çështjes kombëtare, Rexhep Gali Balidemaj, nga ajo anë gjithnjë kumbonin dhe dëgjoheshin këmbanat e lirisë dhe të atdhetarisë. Po kush ishte Adem Demaçi ne ditët e hershme te aktiviteteve kombëtare dhe kush kishte dëgjuar për të ne Plave Guci? Gjenerata e kohës së viteve të 60-ta pjesëtarët e të cilës u arsimuan dhe punonin në Kosove, bartnin në mënyra te ndryshme frymën atdhetare dhe të rezistencës ndaj UDB-se dhe bashkëpunëtorëve të saj shqipfolës edhe në Plave Guci.

Të pakta ishin familjet që në ato kohëra kishin dëgjuar apo edhe merrnin guximin të flisnin për simbolin e rezistencës asokohe poetin e ri Adem Demacin.

Erërat e lëvizjeve patriotike kishin filluar të valëvitën dhe të ringjallen edhe në trojet e Jakup Ferrit e Ali Pashe Gucisë. Atdhetarët nuk i munguan historikisht Plavë Gucisë asnjëherë andaj që në ditët e para të aktiviteteve te Bac Ademit edhe shumë Plavë Gucias u implikuan në këto aktivitete kombëtare përmes grupeve të veprimit si: Rexhep Gali Balidemaj , Binak Ulaj e më pastaj Ajshe Gjonbalaj, Demë Ulaj , Beqir Gjonbalaj dhe djemtë e grupit Besa që ishin edhe të gatshëm për flijim për lirinë e atdheut. Për çdo Plavë Gucias, Adem Demaçi ishte ai frymëzuesi dhe iniciuesi i angazhimeve dhe i veprimieve kombëtare sepse motivi i qëndresës ishte aty kur flitej e dëgjohej për rezistencën heroike të Adem Demaçit në kazamatet Jugosllave.

Ndërkaq akademiku ynë Rexhep Qosja për Demaçin do ka thënë se : Adem Demaçi ishte dhe mbetet Baca Adem, i gjithëkohshëm në historinë e popullit shqiptar: i gjithëkohshëm me Emrin e tij, me Veprën e tij, me Lavdinë e tij. Adem Demaci, flas për plave-guciasit, është sinonim qëndrese, është simbol i atdhetarisë dhe ai katalizator i fuqishëm si duhet atdheu. Adem Demaçi u nda nga ne por veprat e ti të mëdha atdhetare kaluan kufijtë e shqiptarisë dhe, siç e vlerësuan mediumet më të fuqishme botërore pas shuarjes së ti me tituj si ‘ U shua nga jeta simboli i rezistencës se shqiptarëve” Lavdi jetës dhe veprës së Adem Demaçit.Do të mbetet gjithmonë në kujtesën dhe në zemrat e Plavë Guciasve.”

Florim Lajçi, lexoi mesazhin e dërguar nga Fredd Abrahams, ndërsa treguan për jetën e Adem Demaçit, gazetari Qazim Doda, dhe shkrimtari e publicist Tom Paloka.

Ish luftëtari i Batalionit Atlantiku – Uk Lushi, publicist dhe shkrimtar, tha se njerëzit e medhenjë siç ishte edhe baca Adem, nuk i rrisin e madhështojnë, fjalët, ashtu si nuk i ulin ose denigrojnë, atë, sepse vepra e tij është aq e madhe sa që vetëm Adem Demaçi dhe ata që i meritojnë mund të jenë të tillë, sa që edhe kombi ynë mburret me këta heronjë, ashtu siç është edhe krenar dhe siç ishte ai Saharovi ynë – baca Adem.

“Më e pakta që mund të bejmë ne brezi i ri ish studentor i Universitetit të Prishtinës, dhe gjithë brezi ynë, që u frymëzuam nga jeta dhe vepra e Demaçit, jo vetem në lëvizjen studentore, por edhe athere kur kapëm armët për liri, dhe ju bashkëngjitem UÇK-ës, të ngremë dhe përjetësojmë Adem Demaçin, në një vepër të madhe në SHBA, që do të nderonte atë edhe ne çfarë kemi bërë për kombin tonë”.

Lushi, tha se vet fakti që Adem Demaçi bëri 28 vjet burg, dhe asnjëherë nuk pranojë të përfitojë nga vuajtja e tij – na tregon shumë më shumë. Ai nuk pranojë asnjë herë të i këndohej për së gjalli, sepse siç thoshte Demaçi, “kush e di ndoshta gabojë për se gjalli – dhe nuk e meritojë”tha Lushi duke treguar një rast të tillë në Kosovë.

Adem Demaçi është heroi i shqiptarizmës. Jeta e tij e pasvdekjes do të jetë e gjatë sa ekzistenca e lirisë njerëzore dhe kombit shqiptar, duke na lënë për të kuptuar sa here ta kujtojmë Adem Demaçin, që bota është duke hyrë në një epokë të re historike, në saj të njerëzve të tillë të mëdhenjë, siç ishte dhe baca ynë Adem Demaçi, përfundojë ish luftëtari i Batalionit Atlantiku – Uk Lushi, publicist dhe shkrimtar.

Kjo përkujtimore u mbyll me një këngë për Adem Demaçin.

One Response to “Adem Demaçi përkujtua në Amerikë”

Read below or add a comment...

  1. Llazar says:

    Te paharruara jeta dhe vepra e Adem Demacit !

Comment

*