Adem Mikullovci: Nesër në seancë ju presin dy befasi

Prishtinë, 13 gusht 2017 – Nesër pritet të mbahet përpjekja e katërt për vazhdimin e seancës konstituive të Kuvendit të Kosovës.

I kontaktuar nga Gazeta Express, Mikullovci ka bërë të ditur se seanca e nesërme do të zhvillohet me apo pa koalicionin PAN. Ai ka sgfaqur shpresën se ky koalicion do t’i përgjigjet ftesës për pjesëmarrje në seancë.

Mikullovci është shprehur i vendosur që të mos zhvillojë takim konsultativ ditën e mërkurë, siç ka kërkuar PAN, në takimin konsultativ që u mbajte të mërkurën.

Mikullovci ka treguar se për seancën e nesërme do të ketë dy propozime interesante, të cilat, sipas tij, do t’ia mundësonin Kuvendit që të punojë, të paktën një pjesë e tija.

“Nëse nesër kemi kuorum, unë do t’i hap dy tema, por Kuvendi do të punojë, gjysmak, por një pjesë do të punojë, nëse vërtetë ka kuorum. Do të jetë një propozim interesant i një deputeti të LDK’së, ai ma ka kërkuar dhe një temë timen që do ta bëjë publike e që do të jetë befasuese. Gjithmonë nëse kemi kuorum”, ka thënë kryesuesi Mikullovci për Express, të dielën.

Ai ka deklaruar se nuk do të ketë më takime konsultative të përfaqësuesve të partive parlamentare.

Mikullovci ka paralajmëruar se nëse seanca e së hënës dështon, atëherë për ditën e enjte do të caktohet një seancë tjetër.

Mikullovci i ka hedhur poshtë akuzat e PAN-it se ai po e keqpërdor pozitën e kryesuesit të seancës. Ai ka theksuar se asnjëherë nuk e ka shkelur ligjin dhe se ka vepruar në bazë të Kushtetutës së vendit.

“Me rregullore të Kuvendit nuk ka kurrfarë bisedash përpara, e as konsultimesh. Ato nuk kanë vlerë e as peshë juridike, përpos seancës ku propozohet kryetari i Kuvendit. Kështu që kur disa po më kritikojnë që e kam thyer ligjin, unë e kam thyer ligjin vërtetë që kam bërë konsultime me ta. E nuk po e thyej Ligjin që po bëj konsultime me ta. Ata ma kanë kërkuar një konsultim, unë i kom mbajt tri konsultime me ta, e kanë kërkuar të katërtin, por unë më nuk bëjë konsultime me ta. Unë e ftoj seancën, ata le të urdhërojnë. Por unë gjithmonë do veproj në bazë të ligjit, asnjë pikë nuk largohem nga ligji”, ka deklaruar tutje Adem Mikullovci. (r.m.)

Comment

*