Ag Apolloni fitoi çmimin “Rexhai Surroi” për letërsi

Fitues i çmimit “Rexhai Surroi” për letërsi është Ag Apolloni, për romanin “Ulurima e ujkut”, çmimi për Vepër Jetësore iu nda Nehat Islamit, kurse çmimet për gazetari iu dhanë Arbana Xharrës, gazetare e “Zërit”, dhe Vehbi Kajtazit, gazetar i “Kohës Ditore”.

Prishtinë, 24 dhjetor 2013 – Grupi KOHA ka ndarë të martën çmimet tradicionale “Rexhai Surroi” për letërsi e gazetari. Ceremonia e dorëzimit të çmimeve u zhvillua në ambientet e hotelit “Emerald”, në periferi të kryeqytetit, në prani të personaliteteve të rëndëishme të kulturës dhe krijuesve letrarë e gazetarëve.

Të pranishmit i ka përshëndetur drejtorja dhe pronarja e Grupit KOHA, Flaka Surroi. Ajo, duke folur për çmimet e Grupit KOHA, ka përkujtuar edhe figurën e Rexhai Surroit, emrin e të cilit e bartin shpërblimet e kompanisë KOHA, duke vënë në pah kontributin e tij shumëvjeçar në Kosovë, në letërsi, politikë e diplomaci dhe gazetari e publicistikë.

Pastaj ajo e ka shpallur fituesin e Çmimit për Vepër Jetësore – Nehat Islamin. Me këtë rast Flaka Surroi ka rikujtuar punën prej pionieri të Islamit nga raportimi i tij i përditshëm për një medium në gjuhën shqipe (“Rilindja”) nga vatra që kërcënonte paqen në botë, nga Lindja e Mesme, stilin dhe qartësinë jo vetëm të zhvillimeve, por edhe të mesazheve që u përcillej lexuesve shqiptarë në ish-Jugosllavinë.

Ajo pastaj ka treguar se KOHA ka botuar një përmbledhj të shkrimeve publicistike të Nehat Islami, me titull “Hotel Bejruti” dhe ka evokuar kujtime nga takimet dhe puna me laureatin e çmimit.

Ag Apolloni me romanin “Ulurima e ujkut” është shpallur fitues i Çmimit “Rexhai Surroi” për letërsi, kurse Arbana Xharra, gazetare e “Zërit”, dhe Vehbi Kajtazi i “Kohës Ditore”, janë shpallur fitues të çmimit për gazetari.

Në gjashtëvjetorin e këtij manifestimi, që njëherësh shënon edhe 25 vjetorin e largimin nga jeta në rrethana tragjike të Rexhai Surroit, u promovua edhe vepra e Bensik Mustafajt “Autoportret me teleskop”, botim i “Kohës”.

Kryetari i jurisë, Kim Mehmeti, ka folur për vlerat artistike të romanit të Ag Apollonit. Ai ka thënë se romanin “Ulurima e ujkut” e shquan stili, gjuha, në veçanti moderniteti në trajtimin e fenomeneve të kohës.

Veton Surroi ka folur për veprën e Besnik Mustafajt, krijuesit tashmë të afirmuar në letrat shqipe, dhe diplomatit shqiptar.

Ndërkaq Zenun Çelaj, duke shpallur fituesit e çmimit për gazetari të shkruar, ka theksuar vështirësitë me të cilat ishte përballur juria gjatë përzgjedhjes së dy fituesve, për shkak të numrit të madh të shkrimeve konkurruese, por edhe për shkak të nivelit të përafërt të rëndësisë, stilit, thellësisë dhe mesazheve që përmbanin ato për zbardhjen e fenomeneve që dëmtojnë të sotshmen dhe pengojnë të ardhmen më të mirë të vendit.

Arbana Xharra është vlerësuar për serinë e shkrimeve “Kosova alarmohet nga ekstremistët konservatorë”, ndërsa Vehbi Kajtazi për shkrimet hulumtuese rreth korrupsionit e krimit të organizuar në shëndetësi, me titull “Klinika e vdekjes”. (r.m.)

Comment

*