Agjenti i FBI-së që mori në pyetje Sadam Huseinin po heton masakrën në aeroportin e Floridas

Pak ditë më parë, një sulm me armë në aeroportin e Ft Lauderdale, në Florida, la 5 të vrarë dhe 8 të plagosur.
Autori i vrasjeve ishte një veteran i ushtrisë që kishte shërbyer në Irak, por që kohët e fundit kishte patur probleme mendore, shikonte video të ISIS dhe deklaronte se qeveria po përpiqej t’ia vinte trurin nën kontroll.
George Piro është agjenti i FBI-së që është ngarkuar për ta hetuar rastin e këtij sulmi. Piro është gjithashtu njeriu që, vite më parë, mori në pyetje i vetëm Sadam Hyseinin, pas kapjes dhe arrestimit të bujshëm të diktatorit iraken që ndodhej në arrati. Marrja në pyetje e diktatorit vazhdoi me muaj përpara se t’i dorëzohej drejtësisë irakene.
Nuk dihej deri vonë se kush ishte ky njeri. Irakenët e thërrisnin “zoti Xhorxh” dhe ai varej drejtpërdrejt nga Presidenti George W Bush.
Agjenti i FBI-së është një amerikan i lindur në Liban. Tashmë 49-vjeç, ai flet rrjedhshëm arabishten dhe asirianishten.
Ai ishte adoleshent kur familja e tij u vendos në San Diego, California. Pas shkollës së mesme, shërbeu në Forcën Ajrore Amerikane dhe më vonë punoi për dhjetë vjet si officer policie e si ndihmës prokuror. Në vitin 1999 fitoi provimet dhe u pranua si agjent në FBI.
11 Shtatori bëri që njerëzit si ai të kërkoheshin me urgjencë nga Uashingtoni për shkak të njohurisë së arabishtes dhe Lindjes së Mesme. George Piro përparoi me shpejtësi në karrierë, që kuptohet edhe nga natyra delikate e intervistimit të njeriut kundër të cilit SHBA kishte qenë në luftë që nga viti 1990.
Ai ka treguar më vonë për media se si takohej çdo ditë me Sadamin në një dhomë pa dritare. Ngadalë ai krijoi një marrëdhënie besimi me ish-diktatorin dhe u bë njeriu të cilit ky i fundit i paraqiste kërkesat e tij si i burgosur, deri edhe për letër që të shkruante poezi.
Deri në fund, Sadami hodhi poshtë akuzat se kishte fshehur armë bërthamore apo se kishte pasur lidhje me Al Kaidën apo Osama bin Ladenin.
Më vonë, një gjykatë irakene e nxori përpara gjyqit Sadamin për krime ndaj popullit iraken dhe e dënoi me varje në litar. Ai u ekzekutua në dhjetor 2006.
Katër vjet më vonë, në Irak do të mbërrinte Esteban Santiago, në atë kohë vetëm 20 vjeç, si pjesëtar i batalionit të inxhinierisë së Gardës Kombëtare të Porto Rikos. Ai shërbeu më vonë në rezervat e ushtrisë amerikane dhe në Gardën Kombëtare të Alaskës.
Kanë dalë të dhëna që Estebani, i cili ndodhet tani, në qeli të sigurisë së lartë, ka qenë konvertuar në mysliman, po këto janë nga burime të medias që zakonisht janë paragjykuese ndaj myslimanëve.
I pyetur për këtë rast, George Piro e pranoi se terrorizmi nuk është përjashtuar ende si synimi kryesor i sulmit, por shtoi se nga ana tjetër është ende herët për të dal në përfundime.
“Po i hetojmë të gjitha rrugët që mund ta kenë çuar që të bëjë këtë sulm të tmerrshëm”, tha ai.

Comment

*