Agron Llaka një artist i shquar i Kombit në 60-Vjetorin e ditëlindjes

(Agron Llaka gjeneral i humorit, skenës dhe shpirtit të madh human.)

 

Nga Keze Kozeta Zylo

Ndonëse është bërë rëndom të urojmë njeri tjetrin në ditëlindjet tona dhe kjo është njerëzore, por po aq njerëzore është të urojmë dhe një artist, komediograf “Mjeshtrin e Madh” Agron LLaka në 60-Vjetorin e ditëlindjes së tij.

Jam e sigurtë se ai sot ka marre mijëra urime nga shqiptarët dhe artdashësit e shumtë të humorit të tij pasi e gjithë jeta qysh fëmijë i ka shërbyer artit dhe skenës.

Lexova shumë urime speciale të dala nga shpirti i popullit artdashës, pasi humori nëpërmjet sarkazmës therrëse dhe interpretimi të tij brilant në skenë e ka bërë atë ndër më të njohurit si komediograf dhe si artist në skenë.

Por unë desha të ndalesha në anën më delikate shpirtërore të një artisti të madh që e veçon atë nga shumë artistë të atij kalibri, apo dhe nga ata pseudoartistë që mbijnë si kërpudhat me shumicë studiove tallava dhe i marrin paratë me grushta.

Më lejoni të ndaj me ju të dashur lexues vetëm një moment nga biseda telefonike me Agron Llakën dhe do të kuptoni se sa patriot dhe shpirt madh ështe Agron Llaka përpos talentit të tij të jashtëzakonshëm si artist dhe komediograf.  Para dy vjetësh ne do të festonim në Symphony Space me madhështi 10–Vjetorin e TV dhe të Shkollës Shqipe “Alba Life” që operon në të gjitha lagjet e Nju Jorkut.  Në programin e koncertit ishin shumë artistë të shquar të Diasporës, nxënësit e Diasporës që do të interpretonin për herë të parë shqip në këtë skenë në Manhattan, por programit i mungonte një artist i humorit.

Doemos që Qemal Zylos si themelues dhe drejtues i tyre i shkoi mendja tek Agron Llaka si një artist i jashtëzakonshëm, por dhe si tepelenas, patriot me shumë vlera. Qysh në telefonaën e parë që pati me Agronin ai u përgjigj direkt se do të vi me shume kënaqësi jo vetëm për 10 Vjetorin e TV dhe Shkollës Shqipe, publikun artdashës të Diasporës në New York, por ajo që mua më prek dhe më bën të fluturojë qoftë dhe në fund të botes është mësimi i Gjuhës Shqipe.  Mësimi që ushtroni aty në dhe të huaj, e kupton tepelensi im ajo më jep forcë dhe energji të marr avionin me Kostandinën bashkëshorten time dhe Adean mbesën e shtrenjtë.  Unë do të vi, më dërgo ftesën zyrtarisht dhe më ke aty disa ditë përpara koncertit vazhdoi artisti.

Për të qenë e sinqertë me ju të dashur lexues kur Qemali më tha se do të vijë Agron Llaka, doemos që u gëzova shumë, por nga ana tjetër i thashë e pyete për cmimin se këta ndonjëherë të “kripin” kokën.

Qemali me gëzimin e madh që do të vinte Agroni dhe si e si të nderonim publikun artdashës tha se e di ai çmimin, me vinte rëndë ta pyesja.  Ok, pas dy ditësh merr Agroni për programin dhe si do të organizohej koncerti, ndërkohë Qemali e pyet për çmimin.

-Çfare çmimi thote Agroni, une do të vi pa çmim se e kam për detyrë, t’i puth në ballë një nga një ata nxënës që vinë dhe mësojnë Gjuhën Shqipe të Kombit tim, unë do të vi në respekt të mësuesëve, prindërve, diasporës, por dhe për ty si patriot i nderuar tepelenas, e kuptove tani?

Koncerti filloi dhe çuditërisht ishin ditët e fundit të prillit si sot në 60-Vjetorin e tij.  Kur prezantuesja Rea Ulaj tha se në këte natë magjike që po kalojmë së bashku, me mijëra kilometra ka fluturuar mbi oqean dhe ndodhet midis nesh një bashkatdhetar shumë i suksesshëm nje artisti i shquar kombëtar, komediograf dhe moderatori i emisionit “Al Pazar” si dhe moderatori i koncertit madhështor që po dëgjojmë së bashku, Agron Llakaj, salla shpërtheu në duartrokijte frenetike.

Agron Llakaj Mjeshtër i Madh me mimikën e fytyrës, humorin e hollë plot mesazhe tërhoqi sallën si me magnet dhe njerëzit kishin hyrë në rezonancë dhe nuk pushonin së qeshuri.  Detajet me plot mjeshtëri që përdori gjatë aktrimit, imitimet e personaliteteve të ndryshme si dhe karakterin e  “Anesë”, aktori i humorit i realizoi me një përsosmëri ekspresive, duke i sjellë të gjallë dhe konkret figurat e ndryshme pranë spektatorit.  Agroni komunikoi mjaft ngrohtë me publikun, doli nga skena dhe shkoi pranë publikut duke i krijuar bisedat me nota të holla të humorit që ai di t’i realizojë mjeshtërisht.

Publiku ka më shumë se kurrë nevojë të qesh dhe të rrok mesazhet që përcjellin aktorët të cilët nëpërmjet aktrimit godisin pa mëshirë veset e shoqërisë, politikanët dallkaukë dhe llumin që ata lenë prapa punës së tyre…

Agron Llakaj ka një kohë të gjatë në këtë zhanër dhe për rrjedhojë janë shumë skena që ai i realizon në përsosmëri. Regjisor, producent dhe ideator i show-t Al Pazar, ai ka arritur që show i tij të jetë një nga show-t me shikueshmërinë më të lartë dhe me plot profesionalizëm.  Këtë e pamë direkt në skenë në Symphony Space kur në fund gjithë publiku u çua në këmbë dhe e përcolli me duartrokitje të fuqishme!

Faleminderit Agron Llakaj që iu përgjigje ftesës së Alba Life me plot gjenerozitet dhe dashamirësi të pashoqe për të ardhur pranë shfaqjes duke thënë se për Gjuhën Shqipe do të vija dhe në fund të botës…

Ai erdhi si gjeneral i humorit, skenës dhe shpirtit të madh human.

Vite të panumërta Agron Llaka në këtë vit jubilar të 60-të vjetorit të lindjes suaj!

24 Prill, 2020

Staten Island, New York

 

Comment

*