Ahmetaj: Bashkëpunimin me FMN-në një sukses i plotë

Ministri i Financave Arben Ahmetaj përmes një postimi në rrjetin social “facebook” e ka konsideruar bashkëpunimin 3-vjeçar me Fondin Monetar Ndërkombëtar një sukses të plotë.

“Një tjetër vlerësim për suksesin e programit me Shqipërinë nga ana e Fondit Monetar Ndërkombëtar. FMN vlerësoi dje përmes një deklarate zyrtare, arritjet kryesore të ekonomisë shqiptare përgjatë tre viteve të fundit, me fokus rimëkëmbjen ekonomike, uljen e borxhit dhe konsolidimin makroekonomik e fiskal”, shkruan ministri Ahmetaj.

Duke rekomanduar vazhdimin e reformave, sipas Ahmetajt, FMN e vendos theksin kryesisht tek avancimi i reformës në drejtësi dhe reformave strukturore të lidhura me të, për zgjidhen e problematikave të institucioneve dhe ineficencës së sistemit gjyqësor.

Në deklaratën e një ditë më parë, Fondi Monetar Ndërkombëtar e ka cilësuar si një sukses programin tre vjeçar të sapo mbyllur me vendin tonë. “Falë angazhimit të autoriteteve shqiptare, ne arritëm të mbështesim reformat që janë jetike për rritjen. Programi forcoi kornizën institucionale, uli vulnerabilitetin e ekonomisë, si dhe ndihmoi në ruajtjen e stabilitetit ekonomik pavarësisht kushteve të jashtme të vështira“-thuhet në njoftimin e institucionit me bazë në Washington.

Fondi radhit edhe arritjet e programit në vendin tonë, si rritja ekonomike mbi 3%, ulja e borxhit publik, shlyerja e detyrimeve të prapambetura të qeverisë, apo forcimi i kornizës fiskale dhe financiare.

Pavarësisht kësaj, vijon deklarata e FMN-së, Shqipëria duhet të vijojë të bëjë përpjekje për të forcuar rritjen dhe rezistencën e ekonomisë duke sugjeruar: përpjekje të mëtejshme për uljen e borxhit publik, reformën e taksave, përmirësimin e menaxhimit të financave publike dhe modernizimin e adminisratës së taksave.atsh

Comment

*