Ahmetaj hedh poshtë faturën 2 miliardë euro në Gjykatën e Arbitrazhit

Fondi shtesë prej 127 milionë lekësh për Avokaturën e Shtetit, parashikuar në aktin normativ, i cili u diskutua sot në Komisionin e Ekonomisë, ngjalli debate mes maxhorancës dhe opozitës.

Deputetja e PD-së, Jorida Tabaku kërkoi shpjegime se sa është detyrimi i krijuar për qeverinë shqiptare nga çështjet gjyqësore në Gjykatën e Arbitrazhit dhe atë të Strasburgut.

Ministri Ahmetaj shpjegoi se fondi shtesë nuk ka lidhje me detyrimet e krijuara nga vendimet, por lidhet me shpenzimet që i nevojiten Avokaturës së Shtetit për të përfaqësuar shtetin shqiptar.

“Është punë e përditshme e Avokatit të Shtetit kundrejt çështjeve që i vijnë përballë për shkaqe të mos respektimit të kontratave apo interpretimit nga palët private që nuk janë respektuar të drejtat e tyre është normalitet në një demokraci dhe në një ekonomi tregu”, sqaroi ministri.

Ai po ashtu hodhi poshtë paralajmërimin e ish-ministrit të Drejtësisë, Petrit Vasili se qeveria shqiptare rrezikon të humbasë në Gjykatën e Arbitrazhit 2 miliard euro, çështje kjo e ngritur nga deputeti i PD-së, Edmond Spaho gjatë diskutimeve në Komision.

“Nëse iu referuat virtualitetit të 2 miliardëshit, ajo shifër nuk është e vërtetë. Ajo është shifër vetëm për panik”, deklaroi Ahmetaj.

Sa i përket detyrimeve në Gjykatën e Strasburgut, ministri theksoi se për shkak të ndryshimit që i bëmë ligjit “Për Pronat”, kemi një dakordësi për mosavancimin e çështjeve dhe reflektimin e tyre në bazë të ligjit shqiptar.ATSH

Comment

*