Ahmetaj: Zero tatim fitimi për biznesin e vogël, deri në vitin 2029

Tiranë, 5 qershor 2020 – Të gjitha bizneset me xhiro vjetore nën 14 milion lek, nuk do të paguajnë taksën e tatim fitimit, ka deklaruar ministri i shtetit për Rindërtimin Arben Ahmetaj.

Ai ka theksuar se kjo lehtësi tatimore do të jetë e vlefshme për 10 vjet.

Jam këtu sot për të komunikuar me qytetarët avancimin e planit kombëtar Shqipëria 2030. Brenda planit kombëtar 2030, siç e ka konfirmuar edhe kryeministri Rama dje, do të ketë një masë të rëndësishme për shumicën e shqiptarëve që punojnë në sektorin privat, për shqiptarët që bëjnë ose punojnë në biznesin e vogël, kryeministri dje ka komunikuar me shqiptarët iniciativën e fundit, që ka të bëjë me çlirimin nga taksat për të gjithë biznesin e vogël, deri në xhiron 14 milionë lekë. Zero tatim fitimi për të gjithë biznesin e vogël deri në vitin 2029. Zerimi i tatim fitimit, ashtu siç iu referua kryeministri dje, mund të shoqërohet me heqjen e tatimit të vlerës së shtuar, ka thënë Ahmetaj sot, në një deklaratë për medie.

Sipas Ahmetajt, përveç bizneseve të vogla ekzistuese, nga kjo nismë do të përfitojnë dhe ata që parashikojnë të investojnë në të ardhmen.

Nisma për lehtësi tatimore është pjesë e planit kombëtar 2030. Sipas ministrit Ahmetaj, në këtë plan janë përfshirë lehtësi konkrete fiskale dhe ekonomike, të cilat do të lirojnë bizneset ga barrat e taksave.

(Ora News.tv)

Comment

*