Ahmeti: Nuk ka shpresë për përafrim të dy grupeve brenda Vetëvendosjes

Prishtinë, 5 shkurt 2018 – Kryetari i Prishtinës, Shpend Ahmeti, ka pohuar se ndasitë midis dy grupimeve brenda Lëvizjes Vetëvendosje janë shumë të thella dhe se është pothuaj e pamundur që ato të përafrohen dhe të vazhdojnë të bashkëjetojnë nën një kulm.

“Unë jam befasuar edhe vetë se çka po ndodh brenda Vetëvendosjes. Situata është këtu ku është. Nuk mund t’ju gënjej as t’ju jap optimizëm se gjërat do të bëhen mirë, sepse gjendja është jo e mirë. Ato çka kam parë dhe dëgjuar nuk tregojnë për ndonjë përafrim të të dyja palëve”, ka thënë Ahmeti për KTV-në.

Ai ka thënë se kjo gjendje nuk mund të vazhdojë gjatë kështu dhe ka shtuar se ndoshta do të ishte më mirë që dy palët të vazhdojnë rrugët ndaras.

“Kjo (situatë) nuk do të ishte mirë të vazhdojë më gjatë, si njëfarë storie e prolonguar, sepse po vërehet edhe një zhgënjim i qytetarëve, me të drejtë, me atë që po ndodh në Vetëvendosje. Në qoftë se palët nuk pajtohen, do të ishte mirë që secila palë të vazhdojë tutje”, është shprehur Ahmeti.

Ahmeti për vetë nuk ka pranuar të deklarohet se me cilin krah do të rreshtohet, në rast se ndarja e Vetëvendosjes bëhet edhe formalisht.

“Nuk e di se çka do të ndodhë. Unë nuk mund të ndërroj mendim dhe qëndrim për asnjërin prej shokëve që i kam pasur dhe i kam në Vetëvendosje. Unë nuk kam njohur njerëz më të afërt në politikë se sa Albinin, Visarin dhe Dardanin. Kur dolën këto në publik, isha kritik për krejt këto që dolën. Unë nuk isha i përfshirë me asnjërën palë, prandaj unë i kam qëndrimet dhe besimet e mia politike që do t’i shtyj, pa marrë parasysh se ku jam e ku do të jem”, ka thënë Ahmeti. (r.m.)

One Response to “Ahmeti: Nuk ka shpresë për përafrim të dy grupeve brenda Vetëvendosjes”

Read below or add a comment...

  1. Anikomunisti says:

    Kurrr nuk mundem te e saktesoj se cili nga ju dy ..Al-bin Apo Shpendullahu …..cilli jeni me i poshter me rrenc..

Comment

*