AKB: Serbia humb mbi 21 milionë euro për shkak të tarifës së Kosovës

Prishtinë, 12 dhjetor 2018 – Që nga vendimi i Qeverisë së Kosovës për vendosjen e tarifës doganore për produktet me origjinë nga Serbia dhe nga Bosnja Hercegovina, kompanitë eksportuese nga këto shtete kanë humbur dhjetëra miliona euro dhe mijëra punëtorë të këtyre kompanive rrezikojnë të humbasin vendet e tyre të punës.

Kështu thuhet në një hulumtim të Aleancës Kosovare të Biznesit, të publikuar të mërkurën.

Ky hulumtim është realizuar në periudhën 21 nëntor – 5 dhjetor 2018, në të cilin kanë marrë pjesë 300 biznese, 95 prej tyre kompani serbe që bashkëpunojnë më kompani të ndryshme në Kosovë.

“Gjatë kësaj periudhe, mbi 21 milionë euro llogariten humbjet e eksportit të Serbisë, 2000 automjete transportuese nuk kanë qarkulluar për 15 ditë në Kosovë, rreth 1.3 milion euro humbje vetëm të transportit dhe mbi 8200 punëtorë rrezikojnë të shkojnë në pushim pa pagesë” thuhet në hulumtim.

Më 21 nëntor Kosova ka vendosur tarifa doganore prej 100 për qind për produktet më origjinë nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje që menjëherë t’i heqë këto tarifa, por kryeministri Ramush Haradinaj ka thënë se një gjë e tillë do të ndodhë vetëm kur Serbia ta njohë Kosovën. (r.m.)

Comment

*