Akil Gjakova fiton medaljen e artë nga Parisi, Distria Krasniqi të bronztën

Paris, 10 shkurt 2018 – Xhudisti kosovar Akil Gjakova e ka fituar medaljen e artë në grand slamin e Parisit të shtunën pasdite, duke shënuar kështu suksesin më të madh të Kosovës në xhudon e meshkujve.

Akili e ka mundur në finale xhudistin nga Gjeorgjia, Lasha Shavdatuashvili, për ta rrëmbyer medaljen e artë në kategorinë deri në 73 kilogramë.

Në gjysmëfinale, ai e ka mposhtuar rivalin nga Mongolia, Tsend Ochir.

Kjo është medalja e dytë e xhudistit kosovar në këtë fillimvit. Muajin e kaluar, ai e fitoi medaljen e argjendtë në turneun Grand Prix, në Tunizi.

Ndërkaq, xhudistja kosovare Distria Krasniqi e ka fituar medaljen e bronztë, në kategorinë deri 52 kilogramë.

Kështu, Kosova i ka fituar dy medalje në turneun më të rëndësishëm Grand slam në xhudo në botë.

Në kë turne ka marrë pjesë edhe Nora Gjakova, e cila është eliminuar në raundin e dytë të Grand Slam-it të Parisit.

Xhudistja më e suksesshme kosovare, kampionja olimpike Majlinda Kelmendi, nuk ka marrë pjesë në turneun e Parisit, pas është duke u trajtuar pas një operacioni që ka pasur pak kohë më parë.

Trajneri i saj, Driton Kuka, ka deklaruar se trajtimi i Majlindës po bëhet me sukses. (r.m.)

Comment

*