Aktakuzë ndaj Tomë Gashit, zbuloi dëshmitarin e mbrojtur në rastin “Toka”

Prishtinë, 11 korrik 2018 – Prokuroria Themelore në Prishtinë ka ngritur aktakuzë ndaj avokatit Tomë Gashi, i cili ngarkohet për shkelje të fshehtësisë së procedurës.

Sipas aktakuzës së përpiluar më 16 mars 2018 nga prokurori Blerim Igrishta, avokati Gashi më 29 prill të vitit 2016, rreth orës 10:54, pasi kishte përfunduar seanca dëgjimore  në Gjykatën Themelore në Prishtinë, në procesverbalin e së cilë ishte informuar nga gjykatësi i rastit se seanca është e mbyllur dhe se duhet të ruhej si konfidencialitet ajo çfarë flitej aty, me të dalë nga seanca, pa autorizim, kishte zbuluar të dhëna për identitetin e personit të mbrojtur në procedurë penale dhe e kishte përmendur publikisht emrin e tij.

Kallëzimin ndaj Gashit e kishte ngritur gjyqtarja penale në Njësinë Mobile të Gjyqtarëve të EULEX-it, Marie Tuma, më 10 maj 2016.

Në shkresën drejtuar Kryeprokurorit të Shtetit, Aleksandër Lumezi, gjykatësja Tuma kishte bërë kallëzim penal ndaj Gashit për veprat penale “shkelje e fshehtësisë së procedurës” dhe “mospërfillje e gjykatës”.

Por, më 16 mars 2018, prokurori Igrishta e kishte hedhur poshtë pjesërisht kallëzimin penal për veprën penale “mospërfillje e gjykatës”, pasi kishte vlerësuar se nuk ekziston dyshimi i arsyeshëm se avokati Gashi e ka kryer këtë vepër penale.

Sipas prokurorit Igrishta, pas analizimit të kallëzimit penal dhe shkresave të tjera të bashkëngjitura është konstatuar se nuk janë plotësuar elementet thelbësore të veprës penale, pasi, siç thuhet në aktakuzë, gjykatësja e rastit vetëm i ka njoftuar palët se seanca është e mbyllur dhe çdo gjë që flitet aty është konfidenciale dhe nuk bën të dalë jashtë.

Në shkresën e saj, gjykatësja Tuma ka thënë se gjyqtari i procedurës paraprake e kishte lëshuar një urdhër arresti për të pandehurin Azem Syla, më 26 prill 2016, ndërsa më 29 prill 2016 policia e kishte arrestuar të pandehurin dhe e kishte sjellë para saj, si gjyqtare kujdestare, për një seancë dëgjimore për paraburgimin.

“Avokati Tomë Gashi e përfaqësonte të pandehurin. Në fillim të seancës së paraburgimit, unë deklarova se seanca ishte e mbyllur dhe shpalosja e çfarëdo informacioni në lidhje me rastin gjatë seancës ishte konfidenciale dhe nuk duhet të zbulohet në media apo dikujt tjetër. Të gjitha palët, duke përfshirë edhe  avokatin Tomë Gashi treguan se e kuptuan këtë dhe morën përsipër ta respektojnë atë”, kishte shkruar Tuma, në shkresën drejtuar Kryeprokurorit Lumezi.

Aty thuhet se prokurori i EULEX-it, gjatë seancës, kishte deklaruar se rasti i tij ishte i bazuar në një numër të burimeve të provave, duke përfshirë dëshmitë e dy dëshmitarëve bashkëpunues dhe dëshmitarëve të mbrojtur.

“Ai deklaroi se dëshmitari kryesor ishte N.B.. Ai deklaroi se më parë gjyqtarët e EULEX-it kishin aplikuar masa mbrojtëse për këtë dëshmitar në dy raste të tjera. Më 3 nëntor 2015, gjyqtari i procedurës paraprake po ashtu ka lëshuar një urdhër që shpall N.B. si dëshmitar bnashkëpunues në këtë rast. Kam vazhduar seancën dhe më 30 prill 2016, kam lëshuar një urdhër duke ia caktuar të pandehurit Azem Syla një muaj paraburgim”, thuhet në kallëzim penal të gjykatëses Tuma.

Sipas saj, më 2 maj 2016 ishte informuar se Tomë Gashi kishte bërë deklarata për media të ndryshme, në të cilat ai e ka identifikuar dëshmitarin N.B. dhe ka deklaruar se çështja e prokurorit ishte e bazuar në dëshminë e tij.

Ajo ka thënë se duket se Gashi i ka dhënë këto deklarata për mediat, menjëherë pas seancës, më 29 prill 2016.

“Duket se z.Gashi thjeshtë i ka injoruar udhëzimet e mia. Unë jam e vetëdijshme nga rastet e mëparshme, siç jam e sigurt si jeni edhe ju, se dëshmitari N.B., pavarësisht statusit të tij si një dëshmitar i mbrojtur, është frikësuar dhe bile ka pasur edhe përpjekje për ta lënduar atë”, ka shkruar Tuma në kallëzimin penal.

Lidhur me ngritjen e kësaj aktakuze, “Betimi për Drejtësi” e ka kontaktuar avokatin Tomë Gashi.

Ai ka thënë se nuk është në dijeni se ndaj tij është ngritur një aktakuzë e tillë dhe ka shtuar se lidhur me këtë do të deklarohet pasi të njoftohet me këtë çështje. (r.m.)

Comment

*