Aktorët kosovarë triumfojnë në festivalin e filmit “Cottbus”

Prishtinë, 11 nëntor 2019 – Në festivalin ndërkombëtar të filmit “Cottbus” në Gjermani kanë triumfuar aktorët nga Kosova. Të shtunën mbrëma,kur edhe janë shpallur fituesit e edicionit të 29-të të Festivalit,ata morën dy çmime: Çmimin për aktoren më të mirë dhe atë për aktorin më të mirë.

Çmimin për aktoren më të mirë në këtë festival, ku morën pjesë rreth 200 filma, e kanë ndarë mes vete pesë aktorët nga Kosova: Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Melihate Qena, Shengyl Ismaili dhe Rebeka Qena. Ato u shpërblyen për lojën e tyre në filmin “Shpia e Agës” me regji të Lendita Zeqirajt. Ndërkaq, aktori Alban Ukaj është shpërblyer me Çmimin aktori më i mirë, për lojën e tij në filmin “Hëna e plotë” të regjisorit Nermin Hamzagiq, shkruan sot “Koha Ditore”.

“Për ansamblin e aktoreve të filmit ‘Shpia e Ages’, për portretizimin e tyre jashtëzakonisht të fuqishëm, të gjallë dhe të detajuar në një film që pasqyron ndryshimet dramatike të një vendi ballkanik në shumë mënyra”, thuhet në vlerësimin e jurisë.

Çmimi për aktoren më të mirë ka vlerë 5 mijë euro dhe dhurohet nga qyteti lindor gjerman, Cottbus.

Çmimin për aktoren më të mirë, kasta e këtij filmi e ka ndarë së bashku edhe në Festivalin e Filmit në Bosfor, që u mbajt në tetor të këtij viti.

Filmi i regjisores Zeqiraj sjell në ekran jetën e pesë grave, të cilat bartin me vete traumat e luftës së fundit në Kosovë.

Producebt i filmit “Shpia e Agës” është Bujar Kabashi. Rolet i luajnë: Arti Lokaj, Rozafa Çelaj, Adriana Matoshi, Shengyl Ismaili, Melihate Qena, Basri Lushtaku, Rebeka Qena, Molikë Maxhuni, Egla Ceno e të tjerë.

Ky film është bashkëprodhim i Kosovës, Kroacisë, Francës dhe Shqipërisë. (r.m.)

Comment

*