“Albafone”, operator shqiptar i telefonisë celulare në Maqedoni

“Albafone” është kompani e re e cila si subjekt juridik në Republikën e Maqedonisë është prezent prej viti 2010 e formuar nga një përzierje kapitalesh dhe resursesh shqiptaro amerikane më detyre primare në biznesit e telekomunikimit. Grupi primar i kësaj kompanie do të jetë qytetarët shqiptarë të Maqedonisë

 

Zejnulla Veseli

Shkup, 1 korrik – “Albafone” do të jetë operatori i katërt i telefonisë celulare në Maqedoni dhe do fillojë me punë në muajin gusht. Drejtori ekzekutiv i kësaj kompanie të re celulare, Ardian Hoxha, të hënën në një konferencën për shtyp tha se “Albafone” do të fokusohet në ndryshmin e qasjes që deri tani e kanë operatorët e telefonisë celulare ndaj klientëve shqiptarë dhe do t’i trajtojë ata ashtu siç meritojnë, të barabartë, me respekt dhe në gjuhën shqipe. “Grupi ynë primar i targetit janë qytetarët shqiptarë të Maqedonisë. Pas analizës së tregut që kemi bërë, erdhëm në përfundim se shqiptarët si konsumatorë përbëjnë një përqindje të lartë të tregut të kësaj industrie, ndërsa ata nuk kanë tretmanin e duhur. Do të thotë, konsumatorët shqiptarë paguajnë shumë, por nga ana tjetër operatorët janë shumë pasiv ndaj tyre në krahasim me profitin që e thithin. Fitohet përshtypja se ata të jenë konsumatorë të rangut të dytë. Këtë gjendje ne do ta ndryshojmë, me vetë faktin që konsumatorin shqiptarë do ta trajtomë ashtu siç e meriton”, tha Hoxha. Me një angazhim maksimalisht profesional dhe përgjegjësi, tha ai, “Albafone” do të punojë që të gjithë konsumatorët të ndjehen të respektuar, të barabartë dhe të kënaqur. “Në këtë mënyrë besojmë që do të ndikojmë edhe tek konkurrenca në aspektin e lëvizjeve pozitive të standardeve të këtij biznesi. Edhe pse jemi operator i ri në tregun e telekomunikimit në Maqedoni, ne jemi duke venë në shërbim teknologji dhe inovacione më qëllim që shumë shpejt të bëhemi faktor i kërkuar dhe i respektuar në treg”, tha Hoxha. Zyrtarisht më punë “Albafone” do të fillojë nga fillimi i muajit gusht të këtij viti, pasi të këtë vendosur të gjitha pikat e shitjes së sim kartelave dhe telefonave të ndryshëm celularë. “Deri në fund të muajit korrik do të hapim mbi 5000 pika të shitjes dhe për fillim planifikojmë të shesim 50 mijë sim kartela. Si kompani e parë celulare shqiptare në tregun e Maqedonisë në dispozicion kemi 1 milionë numra, ndërsa fillimisht do të shfrytëzohet rrjeti i kompanisë celulare ‘ONE’, kurse prefiksi do të jetë 073”, tha Hoxha.
Ndërkohë, drejtori i Agjencisë për komunikime elektronike(AEK) Robert Ordanovski, tha se shpreson se shërbimet e kësaj kompanie ndaj qytetarëve do të jenë të kënaqshme, pasi theksoi se ndaj kompanive tjera celulare ka mjaftë ankesa. “Ju ftoj që pjesën e pas shitjes ta ngritni në nivelin më të lartë. E dini që Agjencia për Komunikime Elektronike është organ i shkallës së dytë dhe zgjidhë ankesat. Praktika e deritanishme tregon se numri i ankesave është i madh dhe se raporti i operatorëve ndaj konsumatorëve nuk është në nivelin që ne duam. Prandaj, presim që me ofrimin e shërbimeve tuaja në tregun e telekomunikimeve në Maqedoni, të ndryshoni këtë gjendje dhe ankesat e konsumatorëve te shërbimeve telefonike të jenë zero”, tha drejtori i Agjencisë për Komunikime Elektronike Ordanovski.

Comment

*