Albin Kurti, kandidat për kryetar të Vetëvendosjes

Prishtinë, 24 dhjetor 2017 – Erzen Vraniqi, anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Vetëvendosjes, përmes një postimi në Facebook, ka bërë me dije se deputeti Albin Kurti do të kandidojë për kryetar të partisë.

“Si anëtar i Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje, nënshkrova në mbështetje të kandidaturës së Albin Kurtit për kryetar të Lëvizjes. Komisioni Zgjedhor i Përgjithshëm kishte miratuar sot, pas verifikimit, deklaratën e tij të kandidimit, dhe tashmë ka nisur zyrtarisht grumbullimi i nënshkrimeve”, ka shkruar Vraniqi.

Zgjedhjet për kryetar të Lëvizjes Vetëvendosje është paraparë të mbahen në muajin shkurt. Këto zvgjedhje mbahen në kohën e përçarjeve të brendshme të Vetëvendosjes. Këto përçarje dolën në shesh pas publikimit të një mesazhi të nënkryetares së deritashme të partisë, Aida Dërguti, në të cilin fyhet Albin Kurti.

Shumë eksponentë të Vetëvendosjes e dënuan ashpër këtë veprim të Aida Dërgutit dhe kërkuan shkarkimin e saj, por disa prej figurave të rëndësishme të partisë edhe e morën në mbrojtje.

Vetë Aida Dërguti u detyrua të japë dorëheqje nga pozita e nënkryetares së partisë dhe e kryetares së qendrës në Vushtrri. (r.m.)

Comment

*