Albulena Haxhiu i shpërfill dorëheqjet e drejtuesve të Vetëvendosjes

Prishtinë, 5 janar 2018 – Deputetja e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu, i ka shpërfillur dorëheqjet e kryetarit, dy nënkryetarëve dhe sekretarit të përgjithshëm të partisë nga pozitat udhëheqëse në parti.

Në një postim në Facebook, ajo ka qenë edhe cinike ndaj funksionarëve që kanë dhënë dorëheqje dhe ka bërë të qartë se do të dëshironte që ata të hiqnin dorë edhe nga mandatet e deputetëve.

“Vetëm kur ndonjëri jep dorëheqje nga pozita e deputetit, betohem se do të filloj ta marr seriozisht! Më falni por këto letrat copy paste nuk mundem as t’i lexoj! Janë fallse dhe me porosi e tendencë”, ka shkruar Haxhiu.

Gjatë muajve të fundit nga funksionet udhëheqëse kanë dhënë dorëheqje, kryetari Visar Ymeri, nënkryetarët Aida Dërguti e Dardan Sejdiu dhe sekretari i përgjithshëm, Dardan Molliqaj.

Brenda strukturave drejtuese të Vetëvendosjes, si edhe në qendrat e partisë nëpër komuna, janë profilizuar dy grupe. Njëra e mbështet atë që cilësohet si “vijë e fortë” e partisë, e cila përfaqësohet nga Albin Kurti dhe disa nga themeluesit e partisë, ndërsa tjetra e mbështet vijën që konsiderohet më liberale dhe më e hapur ndaj koncepteve e pikëpamjeve tjera.  (r.m.)

Comment

*