Aleanca për Shqiptarët tërhiqet nga koalicioni qeveritar në Maqedoni

Shkup, 28 dhjetor 2017 – Përfaqësuesit e Aleancës për Shqiptarët kanë dorëzuar sot dorëheqjet e tyre nga postet qeveritare, duke i dhënë fund kështu koalicionit qeveritar në Maqedoni.

Aleanca për Shqiptarët i kishte dy ministra, tre zëvendës-ministra, një sekretar shtetëror dhe disa drejtorë të institucioneve qeveritare dhe publike.

Ky hap u ndërmor pasi kryeministri Zoran Zaev nuk deshi që t’ia lërë kësaj partie postin e ministrit të Shëndetësisë, megjithëse si shkëmbim ia ofroi postin e zëvendës-kryeministrit për reforma në qeveri. Drejtuesit e partisë nuk e pranuan këtë ofertë, të cilën e quajtën nënçmuese.

Por, përfaqësuesi i Rilindjes Demokratike Kombëtare, e cila ishte pjesë e Aleancës për Shqiptarët, do të vazhdojë të mbetet ministër i Pushtetit Lokal.

Partia e Ziadin Selës konsiderohej si shumë meritore për formimin e qeverisë së re. Votat e saj në parlament ishin vendimtare për krijimin e koalicionit të ri qeveritar.

Megjithkëtë, Aleanca për Shqiptarët ka lënë të kuptohet se do t’i mbështesë reformat e mirëfillta që do ta afronin vendin me Bashkimin Evropian. (r.m.)

Comment

*