Alibeaj: Rama po bën pazar të pistë me Shqipërinë dhe shqiptarët

Tiranë, 11 qershor 2018 – Komisioni i Ligjeve i Kuvendit të Shqipërisë u mblodh sot për të miratuar kalendarin e punimeve të Komisionit, por kjo nuk ndodhi për shkak të kundërshtimit të deputetëve të opozitës, të cilët u fokusuan te çështja Xhafaj, krimi dhe korrupsioni.

Deputeti demokrat, Enkelejd Alibeaj, renditi çështjet që, sipas tij, duhet të jenë pjesë e kalendarit të punimeve të Komisionit, por ato u refuzuan nga deputetët e pozitës.

Alibeaj drejtoi akuza të rënda në adresë të qeverisë dhe kryeministrit Edi Rama, përfshirë edhe akuzat për trafikim me qenie njerëzore.

“Policia, krerët e policisë virtytin e vetëm e kanë si të bashkëpunojnë me krimin. Gomonet e transportit të drogës janë ende të gatshme dhe të ngrohta për të filuar për transportin e të mjerëve refugjatë.Kjo është historia e axhendës. Po bën pazar të pistë me Shqipërinë dhe shqiptarët.Për menderen e vet, për karrigen e vet. Prandaj, axhenda e tij nuk është më si të ndërtojmë shtetin, të bëjmë reformën në drejtësi, të japim prova elegjike që na i kërkojnë partnerët, të jepte prova që drejtësia vepronte mbi Saimir Tahirin dhe mbi Fatmirin”, tha Alibeaj.

Ai tha se Rama “po shet çdo gjë” për karrigen e vet.

“Kjo është axhenda e kryeministrit që ka lënë çdo interes publik. Si taleban i vërtetë politik vazhdon të mbrojë veten e vet dhe karrigen e vet. (…) Dhe, qershia mbi tortë, i këput dhe një prishje Teatrit Kombëtar. Në gjithë këtë zallamahi të madhe, huqin e ka tek vjedhja. Prish Teatër për të vjedhur toka, për të mbjellë kulla”, u shpreh ai.

Sipas Alibeaj, reforma në drejtësi u ka prerë krahët shqiptarëve për të gjetur drejtësi.

“Kjo reformë në drejtësi është shkatërrim i drejtësisë”, theksoi ai. (r.m.)

Comment

*