Alla është risia e De Biasit për dy ndeshjet e ardhshme, rithirren Grezda e Latifi

Nga ambjentet e Federatës Shqiptare të Futbollit, trajneri Gianni De Biasi publikoi listën me 23 emrat që ka thirrur për sfidën eliminatore të 24 Marsit në Palermo dhe atë të 4 ditëve më pas kundër rivalëve ballkanas në miqësoren e Shkodrës

Lista e Kombëtares Shqiptare për dy ndeshjet ndaj Italisë dhe Bosnje Hercegovinës tashmë është zyrtare dhe risia më e madhe është grumbullimi për herë të parë i mbrojtësit të Kukësit, Albi Alla.

Nga ambjentet e Federatës Shqiptare të Futbollit, trajneri Gianni De Biasi publikoi listën me 23 emrat që ka thirrur për sfidën eliminatore të 24 Marsit në Palermo dhe atë të 4 ditëve më pas kundër rivalëve ballkanas në miqësoren e Shkodrës.

Një tjetër lojtar i Kategorisë Superiore që rikthehet në Kombëtare është edhe mesfushori i Skënderbeut, Liridon Latifi, ndërsa bie në sy mungesa e Shkëlzen Gashit që vazhdon të mos jetë në preferencat e De Biasit.

Sokol Cikalleshi rikthehet në Kombëtare, ndërsa emergjenca më e madhe është në fazën mbrojtëse me dy mungesa të rëndësishme si Berat Gjimshiti dhe Mërgim Mavraj.

Një tjetër emër që ngjall interes është edhe mesfushori i kroatëve të NK Lokomotiva, Eros Grezda, i cili po kalon një moment shumë pozitiv.

Në këtë repart janë përfshirë gjithashtu edhe emrat e përdorur nga De Biasi gjatë muajve të fundit si Migjen Basha, Burim Kukeli, Amir Abrashi, Andi Lila, Ledjan Memushaj, Taulant Xhaka, Jahmir Hyka dhe Odise Roshi.

Në sulm janë thirrur Bekim Balaj, Sokol Cikalleshi, Asdren Llullaku dhe Armando Sadiku, ndërsa në mbrojtje bashkë me debutuesin Alla janë të gatshëm edhe Ansi Agolli, Arlind Ajeti, Naser Aliji, Elseid Hysaj dhe Frederik Veseli.

Në listën e portierëve, Orges Shehi rikthehet pasi Etrit Berisha është i pezulluar, ndërsa bashkë me gardianin e Skënderbeut është edhe ai i Partizanit, Alban Hoxha dhe ai i Lazios, Tomas Strakosha.SuperSport

Comment

*