Alternativa mbetet në koalicion me LDK-në

Prishtinë, 5 shtator 2017 – Partia Alternativa do të vazhdojë t’i qëndrojë besnike marrëveshjes së nënshkruar me Lidhjen Demokratike të Kosovës (LDK) dhe Aleancën Kosova e Re (AKR), ndonëse kjo e fundit e prishi marrëveshjen dhe iu bashkua Koalicionit PAN (PDK-AAK-NISMA).

“Ne mbetemi pjesë e koalicioni me LDK-në. Nuk ka pasur ndonjë ndryshim deri tani tek ne, për dallim nga AKR-ja, e cila dje doli nga koalicioni LAA”,ka thënë kryetarja e Alternativës, Mimoza Kusari-Lila për Indeksonline.

Ajo ka thënë se, tash për tash, deputetët e Alternativës janë pjesë e grupit parlamentar të LDK-së në Kuvendin e Kosovës.

“Nuk e dimë për ditët në vazhdim, por ajo që mund të themi është se tani jemi pjesë e Lidhjes Demokratike të Kosovës”, ka thënë ajo.

Të hënën, kryetari i AKR-së, Behgjet Pacolli u shkëput nga koalicioni me LDK-në e Alternativën dhe iu bashkua Koalicionit PAN, të cilit ia mundësoi të krijojë shumicën e nevojshme për formimin e qeverisë.

Sipas marrëveshjes së nënshkruar nga Pacolli dhe liderët e tri partive kryesore të koalicionit PAN, Kadri Veseli, Ramush Haradinaj dhe Fatmir Limaj, AKR-ja do ta ketë postin e kryeministrit të parë, pesë poste ministrash dhe shtatë poste zëvendësministrash në qeverinë e re që pritet ta udhëheqë Haradinaj.

Por, pjesë e marrëveshjes është edhe posti i Presidentit. Liderët e PAN-it janë pajtuar që pas përfundimit të mandatit të Hashim Thaçit, këto parti të mos nxjerrin kandidat tjetër për president, por ta mbështesin kandidatin e AKR-së, domethënë Behgjet Pacollin. (r.m.)

Comment

*