Amanetin e mban toka – Gëzuar Ditëlindjen Prof. Ernest Koliqi!

 

Frank Shkreli

20 Maji (1903) shënon ditëlindjen e Profesor Ernest Koliqit.  Gëzuar Ditëlindjen, i dashur Profesor Koliqi!

Unë e konsideorj veten të privilegjuar që kam pasur fatin të njihja, megjithëse për një kohë të shkurtër, Profesor Koliqin, gjatë qendrimit tim si refugjat në Romë, para se të vendosesha në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në vitin 1970.  Derisa ndërroi jetë, më 15 janar 1975, shkëmbenim letra, të pakën dy-tri herë në vit.

Detyrimi im për ta kujtuar atë rrjedh nga një letër që Profesor Koliqi ma ka dërguar në vitin 1972.  Letra e tij erdhi pas një përpjekjeje amatore nga ana ime për të botuar një fletushkë kushtuar rinisë në mërgim.  Ishte një letër me këshilla tepër të nevojshme për një të ri nga një personalitet si Ernest Koliqi, por që njëkohësisht përmbante edhe një amanet. Ai shkruante ndër të tjera: “I dashtuni Fran, më kanë ra në dorë si letra e jote ashtu edhe Nr. 1 i periodikut, “Rinija Shqyptare në Mërgim”.  Gëzohem pikë ma së pari që je mirë, që përpiqesh të ndjekish studimet, e në fund, për botimin kushtue masës së re që larg prej Atdheut ka shumë nevojë t’ushqehet me shkrime të shëndoshta shqipe.  Të lumtë! Ashtë nji fillesë plot premtime.  Mbaje mend veç nji fjalë të moçme: ‘Trimi i mirë me shokë shumë’.  Avit moshatarë sa ma shumë që të mundesh.  N’ashtë se kjo fletore do të merret edhe me letërsi, mos harro auktorët që regjimi komunist i ka përjashtue nga historia e letërsisë shqipe…”.

Ishte ky, pra, amaneti i tij, një amanet që jam munduar ta mbaj me atë kapacitetin tim të vogël, duke e kujtuar atë kur kam pasur mundësi, me gjithë kufizimet e mia në fushën e veprimtarisë së tij të gjithanshme – brenda dhe jashtë Atdheut – duke filluar nga viti 1918 e deri në vitin 1975, kur ndërroi jetë në Romë të Italisë.

Përveç kujtimeve nga disa takime me të dhe respektit të madh që kam për veprat dhe jetën e Ernest Koliqit, është edhe ky amanet që më detyron të mos e harroj dhe ta kujtoj atë në mënyrën time më modeste, nga koha në kohë dhe në raste siç është ditëlindja e tij, si njërin prej të mëdhenjve të Kombit, por me gjithë kontributin e tij të madh në fushën e letërsisë, gjuhës dhe kulturës shqiptare, i përjashtuar dhe i denigruar nga regjimi komunist shqiptar, mbetet pothuaj i harruar dhe i kritikuar edhe sot – nga pseudo-historianët nostalgjikë të komunizmit ndërkombëtar – 30-vjet pas shembjes së regjimit komunist.  Unë nuk e kam përgatitjen as nuk jam i denjë të vlerësoj veprën dhe kontributet e shumta të Ernest Koliqit, por amanetin për të mos e harruar atë dhe të tjerët autorë si ai, të përjashtruar nga letërsia shqipe prej regjimit komunist dhe nga mbeturinat e atij regjimi deri në ditët e sotme – përpiqem me modesti ta çoj në vend, nga hera në herë, amanetin e tij për të mos e harruar atë dhe autorët e tjerë të përjashtuar nga komunizmi.

Por, pasi jemi ende në një gjendje shokuese shpirtërore  në lidhje me shembjen e Teatrit Kombëtar të 17 majit, si një prej ngjarjeve më brutale dhe më të dhìmbshme në historinë kulturore të Shqipërisë, ia vlen të kujtojmë Ernest Koliqin edhe me këtë rast, pasi, siç duket, historikisht, ai dhe shumë  të tjerë të dalluar të historisë shqiptare kanë pasur lidhje me Teatrin Kombëtar, në një mënyrë ose një tjetër.  Ernest Koliqi ishte përparimtar.  Besoj se ai do të kishte qenë për ndërtimin e një teatri të ri dhe më të mire, të standardeve evropiane, pasi ai nga ajo kulturë vinte. Por, nuk besoj se do ta kishte miratuar shembjen përgjithmonë të ndërtesës së Teatrit Kombëtar, pasi ai ishte edhe një ruajtës, mbrojtës dhe kultivues i historisë dhe identitetit Kombëtar të shqiptarëve, kudo dhe kurdoherë.

Mund të jem gabim, por besoj se kjo foto historike është një takim i mbajtur në ish-Teatrin Kombëtar – të rrënuar brutalisht më 17 maj nga autoritetet e qeverisë socialiste pseudo-demokratike të Shqipërisë së sotme – në të cilin, në vitin e 1942, strehohej edhe Instituti i Studimeve Shqiptare, i kryesuar nga Profesor Ernest Koliqi.  Në këtë Institut ka filluar botimi i vëllimeve të mëdha “Studime e Tekste”, ku bashkëpunuan linguistët, juristët dhe folkloristët si dhe albanologët më të njohur të asaj kohe. Në “Numrin Përkujtimuer” të revistës Shejzat, me rastin e vdekjes së Profesor Koliqit, në vitin 1975, shënohet se pas largimit të tij nga Ministria e Arsimit, në vitin 1942, Profesor Koliqi emërohet Kryetar i Institutit të Studimeve Shqiptare, (shih foton) me qëllim për të vazhduar veprën e ndërmarrë nga Kongresi i Manastrit.  Aty shënohet se gjatë kësaj periudhe Profesor Koliqi bashkëpunoi me Mustafa Merlika Krujën, Karl Gurakuqin, Asdrenin, Ali Asllanin, Lasgush Poradecin, Anton Logorecin, Ismet Toton, e tjerë.

Gjithashtu, gjatë kësaj periudhe, Ernest Koliqi, si ministër i Arsimit, luajti rolin kryesor dhe historik të përhapjes së arsimit në gjuhën shqipe, duke hapur shkolla anembanë trojeve shqiptare nën ish-Jugosllavinë e vjetër.  “Këto shkolla, sipas Dr. Rexhep Krasniqit, ish-Kryetarit të “Komitetit Shqipëria e Lirë” në Nju Jork, “u bënë baza me rëndësi për zhvillimin dhe përparimin e gjërë dhe të shumanshëm të arsimit dhe të kulturës shqiptare në Jugosllavinë” e atëhershme.  E kam thënë edhe më përpara se nga kjo politikë e Ernest Koliqit ka përfituar edhe brezi im në krahinën e Ulqinit, pasi mësuesit e mi dhe të bashkëmoshatarëve të mi të shkollave fillore në ato zona, ishin mësuar nga arsimtarët dhe mësuesit nga Shqipëria që i kishte dërguar atje Ernest Koliqi.  Ia kemi borxh atij, sepse po të mos ishin këta emisarë të Koliqit dhe shkollat shqipe që ata i hapën, në trojet shqiptare ndoshta as shqip nuk do flisnim sot – unë e as të tjerët bashkëmoshatarë të mi e, si rrjedhim, as brezat pas nesh.

Amanetin e mban toka, Gëzuar DitëLindjen, Profesor Ernest Koliqi ...

Faqja e parë e Symfonisë së Shqipeve, dedikuar nga vet Ernest Koliqi – një kujtim dhe dhuratë e paçmueshme!

Dëshiroj ta mbyll këtë kujtim me rastin e ditëlindjes së Ernest Koliqit me disa vargje të poemthit “Symfonija e Shqipevet”, kushtuar lashtësisë shqiptare, njërës prej veprave të tij që frymëzon atdhetarizëm dhe e lartëson shpirtin e lexuesit edhe sot e kësaj dite.  Sidomos në këtë periudhë historike, kur në horizontin shqiptar po duken disa re të zeza, Koliqi ka shkruar se qëllimi i këtij poemthi është për të forcuar në çdo kohë të vështirë besimin në Atdhe, me një krijim mitesh shqiptare, të cilat, sipas tij, dëshmojnë se asnjë pengesë dhe shkatërrim gjatë historisë nuk mundi ta shuante palcin gjallnues të rodit tonë.  Qëllim tjetër i botimit të kësaj simfonie valvitëse fjalësh fantastike, sipas autorit, ishte “për të ndjellë agime ma të këthjellta popullit shqiptar”, në të ardhmen.

Kur fliste e shkruante për Shqipërinë, Ernest Koliqi nuk e kishte në mend vetëm Shqipërinë e kufijve të sotëm, por një Shqipëri që i përfshinte shqiptarët e të gjitha trojeve autoktone në Ballkan.  Nëpërmjet tre poetëve imagjinarë në “Symfoninë e Shqipevet”, ai shpreh besimin e tij në një Shqipëri, e cila, me gjithë “errësitë e natës”, Koliqi prapëseprapë shpreson dhe beson se virtytet e mëdha të Kombit shqiptar do t’i mbeten trashëgimi brezave të tanishëm dhe të ardhshëm, anembanë trojeve shqiptare, duke shprehur besimin e tij me tre poetët e “Symfonisë së Shqipevet” – megjithë problemet me të cilat përballet sot Kombi shqiptar – në një Shqipëri të lirë dhe me drejtësi, në vëllazërim dhe hare, drejt agimeve të reja dhe më të drejta të barabarta, duke deklaruar:

“BESOJMË në Shqipni edhe në virtytet e mshefta që ruen gjaku illyro-thrak i bijve të saj.

BESOJMË në misjonin e naltë që Perendia, siç do kombit në botë, i shënoi edhe kombit të vogël shqiptar, mot e sot, në vallen e shekujve të palindun.

BESOJMË në vëllaznimin e madh të Shiptarëve që tue u forcue, ka me i falun fisit t’onë agime ma të drejta.

BESOJMË në punën e Shqiptarëve të vëllaznuem e në lumninë që ka për t’i sjellë kombit parmenda e bujkut, veli i detarit, penda e dijetarit, kullma e farkatarit, buza e poetit, spata e druvarit, mësimi i fetarit, kur këto të lëvizin e të kumbojnë tue veprue n’emnat e ngjitun e të pandamë të Perëndisë e të Shqipnisë.

BESOJMË në fisnikinë e gojdhanave stërgjyshore dhe në lulzimin e ri të këtyne, ndër breznina që ecin prej territ kah drita.

BESOJMË në Flamur t’onë edhe në frytin e vuejtjeve që për Të u bajten në dobinë e gjakut që për Të u derdh.

BESOJMË në drejtësinë vëllaznore që Flamuri i Shqipnisë ka me sigurue tue rrah i lirë në qiejt që presin diella ma të ndritshëm and’e kand n’atë tokë, ku na përkundi në djep kanga e nji nane arbënore dhe në gji të së cilës shpresojmë me u dhanë pushim këtyne eshtënave të lodhun.”

Ky është Besimi në Atdhe i Ernest Koliqit, ishprehur nëpërmjet poemthit “Symfonija e Shqipevet”.  Ky është edhe Besimi që duhet ta ketë çdo shqiptar kudo, e sidomos elita politike aktuale në Shqipëri dhe në Kosovë – pa marrë parasysh vështirsitë me të cilat përballet sot Kombi.  Ky është edhe amaneti i mbajtur nga unë, në kujtim të një burri të madh, por të përjashtuar e të harruar, të Kombit shqiptar.

 

Comment

*