Ambasada amerikane ngushëllon familjet e viktimave të luftës në Kosovë

Prishtinë, 15 prill 2019 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara në Prishtinë u shprehu ngushëllime familjeve të viktimave të luftës në Kosovë, me rastin e shënimit të 20-vjetorit të krimeve të luftës.

“Derisa Kosova përkujton 20-vjetorin e mizorive të luftës, Ambasada e SHBA-së u shpreh ngushëllimet e sinqerta familjeve të viktimave. Mohimi i mizorive fyen kujtimet për viktimat, i traumatizon familjet edhe më shumë dhe minon përparimin në ndërtimin e një shteti demokratik dhe shumetnik”, thuhet në deklaratën e Ambasadës amerikane.

Në deklaratë u bëhet thirrje udhëheqësve të Kosovës të të gjitha bashkësive etnike që “të përmbahen nga retorika ndezëse”.

“Përkushtimi ndaj të së vërtetës për të kaluarën e luftës është jetësor për një të ardhme paqësore”, thuhet në deklaratë.

Të hënën, Kuvendi i Kosovës krijoi një komision “ad hoc” për dënimin e krimeve të luftës, gjenocidit dhe agresionit të regjimit serb në Kosovë. Komisioni pritet të hartojë një rezolutë, ndërsa qëllim përfundimtar është hapja e tribunalit ndërkombëtar për krimet e kryera nga Serbia në Kosovë.

Ndërkaq, Qeveria e Kosovës e ka autorizuar javën e kaluar Ministrinë e Drejtësisë që ta hartojë një ligj që sanksionon mohimin e krimeve që kanë ndodhur gjatë luftës në Kosovë. (r.m.)

Comment

*