Ambasada amerikane: Ratifikoni versionin ekzistues të Demarkacionit

Prishtinë, 14 nëntor 2017 – Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë u bën thirrje institucioneve të Kosovës që ta ratifikojnë Marrëveshjen ekzistuese të Demarkacionit me Malin e Zi.

Ambasada Amerikane, në një deklaratë lidhur me këtë temë, kujton se në vitin 2015, Departamenti amerikan i Shtetit ka konfirmuar se marrëveshja origjinale paraqet saktësisht vijën kufitare që ka ekzistuar mes Kosovës dhe Malit të Zi në vitin 1974.

“Që nga atëherë nuk kanë dalë fakte që do ta vënin në dyshim atë vendim”, thekson ambasada duke u bërë thirrje liderëve politikë të Kosovës që “të shikojnë përtej interesave personale dhe politikës partiake” dhe ta ratifikojnë marrëveshjen ekzistuese sa më shpejt që të jetë e mundur.

“Tani është koha që institucionet e Kosovës të punojnë për të promovuar interesat e qytetarëve të Kosovës në këtë çështje”, thekson Ambasada Amerikane.

 

Deklarata e plotë e Ambasadës:

 

Ambasada e Shteteve të Bashkuara është zhgënjyer nga raportimi i djeshëm i komisionit të ri për kufirin para komisionit të Kuvendit për Integrime Evropiane. Pohimet e tij janë të pabazuara, çorientuese dhe të gabueshme.

Marrëveshja ekzistuese pasqyron një proces të saktë të përcaktimit të kufirit, të konfirmuar nga komisioni shtetëror i Kosovës dhe ekspertë të shumtë të njohur ndërkombëtarisht.

Në vitin 2015 Departamenti i Shtetit konfirmoi se marrëveshja origjinale saktësisht pasqyronte vijën kufitare që ka ekzistuar mes Kosovës dhe Malit të Zi që nga viti 1974. Që nga atëherë nuk kanë dalë fakte që do ta vënin në dyshim atë vendim. Vënia në dyshim e marrëveshjes dhe zvarritja e procesit të ratifikimit kërcënojnë marrëdhëniet e Kosovës me fqinjët e saj dhe me BE-në dhe e lënë Kosovën dhe qytetarët e saj të izoluar.

Tani është koha që institucionet e Kosovës të punojnë për të promovuar interesat e qytetarëve të Kosovës në këtë çështje. Ne nxisim politikanët e Kosovës që të shikojnë përtej interesave personale dhe politikës partiake dhe që të përqendrohen në nevojat e qytetarëve të tyre, duke e ratifikuar marrëveshjen ekzistuese sa më shpejt që është e mundur.

(r.m.)

Comment

*