Ambasada shqiptare mirëpret 4.500 vizitorë në një ditë

Ambasada e Shqipërisë në SHBA këtë të shtunë (4 maj) joshi në mjediset e saj mbi 4.500 vizitorë, qytetarë të Uashington DC, pasi për të katërtin vit radhazi hapi dyert për publikun e gjerë.

Ky aktivitet u realizua në kuadër të programit Passport DC, Xhiroja e Botës përmes Ambasadave, program një mujor që prezanton bashkësinë diplomatike në Uashington së bashku me kulturën e traditat e larmishme të secilit vend.

Vizitorët zgjodhën Ambasadën tonë për një udhëtim të shkurtër imagjinar në historinë e lashtë dhe në atë që ofron Shqipëria sot. Ata u njohën me turizmin kulturor ku interes të veçantë zunë vlerat e trashëgimisë tonë kulturore të cilat janë tashmë pjesë e trashëgimisë Botërore të Unesco-s, si qyteti Antik i Butrintit, qyteti i gurtë i Gjirokastrës dhe Berati, si edhe turizmi natyror nëpërmjet ekspozitës fotografike me pamje nga zonat malore dhe ato bregdetare, të cilat magjepsën vizitorët e këtij viti. Aktiviteti ngjalli një interes të veçantë, dhe rreth 4.500 vizitorët patën mundësi të shijonin ushqimin dhe pijet tradicionale shqiptare, dhe mbi të gjitha vallet dhe muzikën e trojeve tona, që shoqëroi pa ndërprerje veprimtarinë, duke i dhënë aktivitetit një aromë dhe shije tërësisht shqiptare. Gjithashtu, kostumet kombëtare dhe mësimi i “fjalëve magjike” në gjuhën shqipe, fotot e panumërta me elementët tona kombëtare dhe interesi mbi traditat tona të veçanta shoqëruan në vazhdimësi aktivitetin.

Edhe këtë vit, aktiviteti ynë kulmoi me organizimin e një shorteu, i cili ofroi një paketë turistike 10-ditore për të vizituar Shqipërinë. Fituesja e vitit të kaluar #Yvonna, njohu pjesëmarrësit me eksperiencën e saj të jashtëzakonshme në Shqipëri, duke nxitur maksimalisht interesin për pjesëmarrje në llotarinë e këtij viti. Megjithëse vizitorët duhet të riktheheshin për ceremoninë e tërheqjes së çmimit, lotaria e këtij viti ngjalli interesin dhe u prit me emocione nga qindra e qindra pjesëmarrës duke konkluduar me fituesen e këtij viti, #Catherine, e cila do të shijojë një udhëtim 10 ditor në Shqipëri të ofruar nga sponsorat që mbështetën këtë veprimtari.

Një falënderim i vecantë i shkon sponsorëve të cilët mundësuan paketën turistike, kompanive Globus Travel, Vas Tour dhe Mak Albania të cilët ofruan besimin dhe produktet e tyre turistike në dispozicion të promovim të turizmit në Shqipëri. Një punë tepër e dedikuar u ofrua në këtë aktivitet edhe nga stafi i ambasadës si edhe numri i madh i vullnetarëve, që mbështeti realizimin e kësaj veprimtarie, e cila padyshueshmërisht do ndikojë në rritjen e turizmit amerikan drejt Shqipërisë.

Comment

*