Ambasadori Heldt: Qëndrimi i Gjermanisë ndaj dialogut mbetet i pandryshuar

Prishtinë, 10 tetor 2018 – “Jo”, kurrfarë shkëmbimi të territoreve; “Po” themelimit të Asociacionit të Komunave me shumicë serbe, duke respektuar plotësisht Kushtetutën e Kosovës.

Ky ishte qëndrimi i shumicës së pjesëmarrësve të tryezës “Negociatat Kosovë- Serbi: Një qasje racionale?”, që u organizua nga Forumi 2015, me mbeshtetjen e Fondacionit të Kosovës për Shoqëri të Hapur.

Ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt, tha se nuk i komenton opinionet, por theksoi se qëndrimi i qeverisë gjermane lidhur me bisedimet mes Kosovës e Serbisë mbetet i pandryshueshëm.

“Unë nuk dua të komentoj për këto rezultate pasi qëndrimi i qeverisë sime është i njëjtë dhe i pandryshueshëm, i cili ka të bëjë me një zgjidhje të qëndrueshme dhe një paqeje në rajon. Këto tema janë të diskutuara publikisht. Unë nuk dua të komentoj sepse kjo është çështje e kosovarëve dhe serbëve. Duhet të kemi një vizion më të gjerë strategjik”, tha Heldt.

Publicisti Veton Surroi tha se natyra e marrëdhënieve Kosovë-Serbi duhet të modifikohet.

“Shumë herë na është përsëritur se negociatat në Bruksel nuk kanë alternativë, çështja është se alternativat kanë nevojë të përcaktohen. Alternativa ndaj kësaj qasje konceptuale është e thjeshtë, duhet të modifikohet natyra e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës e Serbisë, dhe kur jemi këtu motivi themelor, i cili duhet ta shtyjë Kosovën drejt një marrëveshje me Serbinë dhe të përfundojë konflikti ndërmjet Kosovës e Serbisë. Aderimi në NATO, anëtarësimi në BE dhe në OKB janë shumë të rëndësishme. Arsimi i vajzave në Kosovë mund të krahasohet me atë të vajzave në Afganistan. Kosova është vendi i vetëm në Evropë që nuk ka sigurime shëndetësore dhe mu për këto arsye duhet të përfundojë konflikti me Serbinë”, tha Surroi. (r.m.)

Comment

*