Ambasadori izraelit në Maqedoni të Veriut: Kosova nuk është vend musliman, por vend me shumicë muslimane

Shkup, 16 shtator 2020 – Ambasadori jorezident i Izraelit në Maqedoni të Veriut, Dan Oryan, në një intervistë për Alsat, të martën mbrëma, ka thënë se Kosova nuk është vend musliman, por vend me shumicë muslimane.

I pyetur përse presidenti i SHBA-së, Donald Trump, dhe kryeministri izraelit, Benjamin Netanyahu, pas nënshkrimit të Marrëveshjes në Uashington e cilësuan Kosovën si vend musliman, Oryan tha se kjo është interpretuar në këtë mënyrë për shkak se për Izraelin është me rëndësi që një vend ku ka shumë muslimanë ta pranojë Jerusalemin si kryeqytet.

“Fillimisht, kryeministri e tha shumë qartë se Kosova do të jetë, supozoj se e keni fjalën për këtë, vendi i parë musliman që do të hapë ambasadë në Jerusalem dhe ju duhet të kuptoni se si e shohim ne këtu, për shumë vite”, ka thënë ai.

Oryan ka sqaruar se për Izraelin është e rëndësishme që Jerusalemi të njihet si kryeqytet izraelit , pwr shkak se deri më tani shumë pak vende e kanë bërë këtë.

“Fakti që një vend që ka shumicë muslimane, sigurisht që nuk është vend musliman, por me një shumicë muslimane, e thotë shumë qartë se do të hapë Ambasadën në Jerusalem ka qenë shumë e rëndësishme për ne. Supozoj se për këtë qëllim është interpretuar në këtë mënyrë. Por, natyrisht që kjo nuk nënkupton se Kosova është një vend musliman”, ka thënë ai.

(r.m.)

Comment

*