Ambasadori Kosnett takoi drejtuesit e Listës Serbe

Prishtinë, 15 mars 2019 – Ambasadori i Shteteve të Bashkuara në Kosovë, Philip Kosnett, me anë të një postimi në Twitter, njoftoi për një takim që ka zhvilluar me drejtuesit e partisë politike Lista Serbe.

Në një fotografi të postuar nga takimi, ambasadori Kosnett shihet të jetë takuar me kryetarin e partisë, Goran Rakiq, dhe nënkryetarin, Igor Simiq.

“Takova drejtuesit e Listës Serbe sot. Diskutuam interesat dhe shqetësimet e komunitetit serb të Kosovës – përfaqësuesit e tyre të zgjedhur duhet të mbeten në institucionet e Kosovës për të punuar në emër të komunitetit të tyre”, shkroi Kosnett.

Përfaqësuesit e Listës Serbe, subjekt ky politik, i cili përfaqëson serbët e Kosovës në institucionet qendrore dhe lokale, kanë theksuar se kanë kërkuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, dhe nga Qeveria e Serbisë, që të mbështesin vendimin e tyre për braktisjen në tërësi të institucioneve të Kosovës.

Në mars të vitit 2018, zyrtarët e Listës Serbe kanë deklaruar se e kanë braktisur Qeverinë e Kosovës, për shkak të ndalimit dhe largimit nga Kosova të shefit të Zyrës për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Marko Gjuriq.

Ky subjekt politik ka braktisur edhe koalicionin aktual qeverisës të Kosovës.

Pas vendimit për largim nga Qeveria, Lista Serbe aktivitetin e saj e ka vazhduar si opozitë në Kuvendin e Kosovës.

Në nëntor të vitit të kaluar, ndërkaq, kryetarët e katër komunave me shumicë serbe në veri të Kosovës kanë dhënë dorëheqje, për shkak të vendimit të Qeverisë së Kosovës për t’iu vënë taksë 100% prodhimeve të importuara nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina.

(REL)

Comment

*