Ambasadorja amerikane shkurton me 285 milionë dollarë buxhetin e OKB-së

Ruben Avxhiu

“Nuk do të lejojmë që bujaria e popullit amerikan të keqpërdoret apo të përdoret pa kontroll”, tha në deklaratën e saj Nikki Haley

 

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në Organizatën e Kombeve të Bashkuara, Nikki Haley, njoftoi ditën e dielë se SHBA e ka shkurtuar me 285 milionë dollarë buxhetin e OKB-së për vitin fiscal 2018.
Ajo e quajti shkurtimin një zvogëlim historik që do të ndihmonte në rritjen e efikasitetit të organizatës që vuan nga një administratë e stërfryrë.
“Mungesa e efikasitetit dhe shpenzimet e panevojshme nga Kombet e Bashkuara janë të njohura mirë”, tha Haley në deklaratën e lëshuar nga Misioni i SHBA-së në OKB. “Nuk do të lejojmë që bujaria e popullit amerikan të keqpërdoret apo të përdoret pa kontroll”.
Ish-guvernatorja e Karolinës së Jugut ka detyruar OKB-në që të rishikojë planin e saj për shpenzime gjatë vitit të ardhshëm dhe ka paralajmëruar vendet që veprojnë kundër interesave të SHBA-së se që këtej e tutje SHBA do të mbajë shënim emrat.
Në rastin më të fundit, ajo reagoi për votimin masiv në Asamblenë e Përgjithshme për të dënuar njohjen nga SHBA të Jeruzalemit si kryeqytet të Izraelit.
“Shtetet e Bashkuara do ta kujtojnë këtë ditë kur e sulmuan në këtë asamble thjesht sepse kishim ushtruar një të drejtë tonën si vend Sovran”, kishte thënë ajo përpara votimit. “Do ta kujtojmë kur, përsëri, të na thërrasin që të bëjmë kontributin më të madh në gjithë botën për OKB-në dhe do ta kujtojmë kur shumë vende do të na kërkojnë që të paguajmë akoma më shumë apo për t’i ndihmuar me ndikimin tonë për të mirën e tyre”.
128 vende votuan në favor të rezolutës, 9 kundër, 35 abstenuan ndërsa 21 vende munguan në votim.
Shqipëria votoi kundër, duke sjellë debate të forta e kritika nga opozita dhe disa vëzhgues, ndërsa ministri i Jashtëm, Ditmir Bushati e justifikoi votën si në përputhje me të gjithë votat e Shqipërisë në të kaluarën për këtë problem. (Ruben Avxhiu)

Comment

*