Ambasadorja Kim: Ekonomia, një prej tri prioriteve të mia për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri

Tiranë, 15 tetor 2020 – Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri, Yuri Kim, ka thënë se forcimi i marrëdhënieve ekonomike midis Shqipërisë dhe SHBA-së është një prej tri prioriteteve të misionit të saj diplonatik në Shqipëri, ku renditen edhe demokracia dhe mbrojtja.

“Siç e dine shumë nga ju, tri prioritet e mia për marrëdhëniet SHBA-Shqipëri janë: Demokraci, Mbrojtje dhe Biznes. Kam dëgjuar se jam Ambasadori i parë amerikan që thekson biznesin, dhe më duhet ta pranoj se kjo më bën krenare”, ka thënë Kim të enjten, në takimin vjetor të Dhomës Amerikane të Tregtisë në Tiranë.

“Rritja e mundësive të biznesit ndërmjet shqiptarëve dhe amerikanëve është një nga qëllimet e mia më të rëndësishme si Ambasadore e SHBA në Shqipëri. E di që të gjithë këtu ndajnë gjithashtu atë qëllim, dhe të gjithë ju keni një rol të rëndësishëm për të luajtur”, shtoi ajo.

Ambasadorja Kim ka shprehur kënaqësinë që Shtetet e Bashkuara dhe Shqipëria nënshkruan më 3 tetor një memorandum për bashkëpunim ekonomik, të cilin ajo e quajti si “një arritje domethënëse në ngritjen e marrëdhënieve tona ekonomike që të përputhen me marrëdhëniet tona dypalëshe tashmë jashtëzakonisht të thella politike”.

Ajo ka shfaqur shpresën se nënshkrimi i kontratës me firmën amerikane “Bechtel”  për ndërtimin e hidrocentralit të Skavicës do të shënojë fillimin e një liste më të gjatë të kompanive amerikane që do të vijnë në Shqipëri.

Ambasadorja Kim ka thënë se komuniteti i biznesit dhe investitorët e huaj përballen me sfida të shumta në Shqipëri.

“Që kur kam ardhur, kam qenë dëshmitare e drejtpërdrejtë e sfidave me të cilat përballet komuniteti i biznesit dhe investitorët e huaj. Të gjithë e dimë që shteti ligjor duhet të forcojë dhe përmirësojë integritetin e tij në mënyrë që investime të huaja direkte kuptimplota të vijnë në vend”, ka thënë ajo.

Njëkohësisht ka vlerësuar resurset natyrore dhe humane për zhvillim të vrullshëm ekonomik të Shqipërisë.

“Ekziston mundësi dhe potencial i pabesueshëm këtu për të rritur ekonominë. Nuk është e vështirë të ‘shesësh’ Shqipërinë, nëse bëhet siç duhet. Shqipëria ka një lidhje të jashtëzakonshme me botën, përmes portit dhe pozicionit të saj strategjik si një pikë hyrëse në Evropë. Kostoja e punës është e arritshme për modelet e biznesit. Popullsia është e re dhe e shkathët. Shqiptarët kanë disa nga aftësitë më të mira gjuhësore se çdokush, kudo në botë. Shqiptarët janë të vendosur, punëtorë dhe mikpritës“, është shprehur ambasadorja Kim.

“Ky është një terren pjellor për sukses dhe rritje dhe ne duhet të punojmë së bashku për të kapur mundësitë tani për përmirësimin e Shqipërisë dhe për të siguruar më shumë mundësi për të rinjtë e talentuar shqiptarë“, ka theksuar ajo.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Shqipëri e ka vlerësuar rolin e Dhomës Amerikane të Tregtisë për përmirësimin e mjedisit për biznes në Shqipëri dhe për nxitjen e tregtisë dhe investimeve me Shtetet e Bashkuara.

“Në vitet e mia të shumta në Departamentin e Shtetit kam parë anembanë botës se si Dhoma Amerikane ndhmon krijimn e mundësive për Amerikën dhe për miqtë tanë. Dhoma Amerikane përfaqëson më së miri zërin e komunitetit të biznesit duke folur si një zë i vetëm, për të ndihmuar në nxitjen e një mjedisi biznesi që do të rrisë tregtinë dhe investimet dypalëshe midis Shteteve të Bashkuara dhe vendit pritës, si dhe do të krijojë vende pune, mundësi dhe rritje ekonomike për të dyja vendet”, ka thënë shefja e misionit diplomatik të Shteteve të Bashkuara në Shqipëri.

Dhoma Amerikane e Tregtisë në Tiranë ka shënuar 20 vjetorin e themelimit të saj. Në ceremoninë e rastit janë vënë në pah vështirësitë me të cilat është ballafaquar dhe ballafaqohet ende ajo, por edhe është vlerësuar roli i saj në zhvillimin ekonomik të Shqipërisë dhe në thellimin e marrëdhënieve tregtare e ekonomike mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës.

Image may contain: one or more people, screen and indoor

Image may contain: 5 people, people standing

(Ramadan Muçolli, Illyriapress)

Comment

*