Amb.Luli-Faber e prekur thellë nga fatkeqësia në Hjuston dhe për komunitetin shqiptar

Ambasadorja u bën thirrje shqiptarëve të qëndrojnë pranë sho-shoqit për ndihmë në çdo rast dhe të mos ndihen larg vendit, të afërme dhe miqve

Denion Ndrenika

Ambasadorja e Shqipërisë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Floreta Luli-Faber shprehu hidhërim për fatkeqësinë natyrore në Hjuston si dhe për komunitetin shqiptaro-amerikan.

Zonja Luli-Faber shkruajti në profilin e saj në facebook se nuk ka patur fatalitete mes familjeve shqiptare.

Por, ambasadorja kujtoi, sikurse raportoi “Illyria” se 20 familje shqiptare nga 500-600 që jetojnë nv atë zonë, janë prekur plotësisht prej fatkeqësisë në Houston.

Ambasadorja u bën thirrje shqiptarëve të qëndrojnë pranë sho-shoqit për ndihmë në çdo rast dhe të mos ndihen larg vendit, të afërme dhe miqve.

“Shpresoj thellësisht që të gjithë të mbeteni jashte rrezikut për jetën! Ju siguroj që vëmendja jonë është atje në Hjuston!”-shkruan zonja Luli-Faber.

Postimi:

Hjustoni sot është i gjithi i përmbytur! Rreziku i furtunës nuk ka kaluar ende. Komuniteti shqiptar atje, megjithëse relativisht i vogël në numër, përbëhet nga 500-600 familje.
E prekur thellësisht për sa kam ndjekur përditësimin e ngjarjeve, ju drejtohem të gjithëve bashkëkombasve të mi, ju që po vuani pasojat e natyrës bashkë me të gjithë pjesën tjetër të popullsisë amerikane që jeton dhe punon në Hjuston dhe rrethinat e tij.
Nga kontaktet me autoritetet kemi mësuar se deri tani nuk ka patur fatalitete ndërmjet familjeve shqiptare. Kam kontaktuar me drejtuesit e organizatës Arberia Houston dhe jam informuar se janë të paktën 20 familje shqiptare të prekura totalisht nga kjo fatkeqësi natyrore duke iu rrembyer shtëpitë, makinat, dhe të gjithë pasurinë që ato kanë.
Së pari, shpresoj thellësisht që të gjithë të mbeteni jashte rrezikut për jetën! Qyteti i Hjustonit është akoma nën kërcënimin e faktorëve të natyrës, por edhe nën gjëndje emergjence për arsye të rritjes së kriminalitetit në qytet.
Ju inkurajoj të bëni atë që shqiptarët bëjnë më mirë, të qëndroni sa më afër dhe ndihmoni njëri-tjetrin. Mos u ndjeni se jeni larg vendit, të afërmve apo miqve tuaj. Ju siguroj që vëmendja jonë është atje në Hjuston!
Kontaktet e Ambasadës në Uashington 202.223.4942, [email protected] dhe numri i emergjencës 202.758.9526 janë të hapura për cdo informacion apo për t’u lidhur me familjarët tuaj. Do ju vëmë në dispozicion të gjitha sa ne kemi mundësi.

Jemi me mendje dhe me zemër bashkë me Ju!

Floreta Faber
Ambasadore e RSH në Shtetet e Bashkuara

Comment

*