Amerika do ta kujtojë Senatorin John McCain për patriotizmin e tij

Uashington, 26 gusht 2018 – Senatori John McCain do të mbahet mend për guximin, patriotizmin dhe shërbimin ndaj vendit të tij. Ai u nda nga jeta të shtunën, pas një beteje me kancerin në tru.

President Donald Trump shkroi një tweet, “I dërgoj ngushëllimet mija më të thella familjes së Senatorit McCain. Jemi pranë me zemër dhe lutemi për ju!”.

Ekipi i zotit Trump më vonë bëri një deklaratë, ku ofroheshin ngushëllime dhe u bëhej thirrje të gjithë amerikanëve “të shfrytëzojnë rastin për ta kujtuar dhe për t’u lutur për Senatorin McCain dhe për familjen e tij në këtë ditë të trishtueshme”.

Shtëpia e Bardhë e uli flamurin amerikan në gjysëm shtize në respekt të zotit McCain.

Nënpresidenti Mike Pence u shpreh me një tweet: “Këtë fundjavë Karen dhe unë po lutemi për Senatorin John McCain, Cindy-n dhe familjen e tyre. Zoti i bekoftë të gjithë ata në këto kohë të vështira.”

Ish Presidenti Barack Obama dhe zonja e tij Michelle Obama i dërguan përmes një deklarate “ngushëllime nga zemra” bashkëshortes së zotit McCain, Cindy dhe familjes së tyre.

Zoti Obama, i cili ishte rival me zotin McCain në zgjedhjet presidenciale të 2008-ës dhe i fitoi ato, shkruante se “pavarësisht se i përkisnim brezave të ndryshëm dhe besonim në politika të ndryshme, ne të dy kishim një vizion për vendin tonë, si vendi i mundësive të pafund.”

Ish Presidenti Bill Clinton and ish senatorja demokrate Hillary Clinton, e cila e kishte koleg në Senat zotin McCain, thanë përmes një deklarate se “ai shpesh i linte mënjanë ndarjet partiake, për të bërë atë që mendonte se ishte më e mira për vendin dhe nuk kishte kurrë frikë të vepronte kundër rrymës për një çështje të drejtë.”

Ish Presidenti George W. Bush e cilësoi zotin McCain “një mik, mungesën e të cilit kemi për ta ndjerë shumë.”

“Jeta e disa njerëzve është kaq e gjallë, sa që është shumë e vështirë të imagjinosh se ajo ka marrë fund. Disa zëra janë kaq kumbues, sa që është vështirë të mendosh heshtjen e tyre.”- shkruante në një deklaratë zoti Bush.

Mediat kanë njoftuar se McCain kishte kërkuar që në funeralin e tij të mbajnë fjalimet e lamtumirës Presidentët Obama dhe Bush.

Babai i zotit Bush, ish Presidenti George H.W. Bush, e cilësoi zotin McCain “një patriot i nivelit më të lartë, një njeri në shërbim të publikut me një guzim të rrallë.”

“Pak njerëz kanë sakrifikuar, apo kontriubuar më shumë se ai për të mirën e qytetarëve të tij dhe për popujt liridashës në mbarë botën”- shprehej në një deklaratë Presidenti Bush i Ati, George H.W. Bush.

Ish Presidenti Jimmy Carter e cilësoi zotin McCain “një burrë të nderuar, një patriot të vërtetë, në kuptimin e vërtetë të fjalës”.

Kryetari i Dhomës së Përfaqësuesve Paul Ryan, tha se vdekja e zotit McCain është “një ditë e trishtueshme për Shtetet e Bashkuara”, që humbën një “burrë shteti dhe hero lufte me dekorata”.

“John vinte parimet para politikës. Ai vinte vendin para vetes së tij. Ai ishte njëri prej burrave më të guximshëm të shekullit”, tha zoti Ryan.

Udhëheqësja e demokratëve Nancy Pelosi tha se “vendi ynë sot është përlotur” dhe ajo theksoi “patriotizmin e thellë, trimërinë e jashtëzakonshme dhe shpirtin e paepur të zotit McCain.”

(Zëri i Amerikës)

Comment

*