Amerika e nderon Senatorin McCain, mungon vetëm presidenti Trump

Washington, 31 gusht 2018 – Udhëheqës të të dy krahëve politik në SHBA u mblodhën sot për ta nderuar senatorin John McCain, i cili ndërroi jetë para pesë ditësh.

Në ceremoninë përkujtimore të pranishmit e vlerësuan senatorin McCain si njeriun me vlera të larta dhe si njërin nga njerëzit më të guximshëm që ka lindur Amerika.

Gjatë pesë ditëve të homazheve, një numër i madh i figurave të rëndësishme të politikës amerikane, miq apo armiq politikë, në krahun e republikanëve apo të demokratëve, njerëz me pikëpamje të njëjta apo me pikëpamje të ndryshme, e kanë vlerësuar lart figurën e senatorit McCain.

“Shumë herë kur bisedon me njerëz që dikur ishin armiqtë e tij politikë, sheh se tani janë miqtë e tij më të mirë. Ai ishte në gjendje të ndryshonte situatën dhe të rregullonte marrëdhëniet”, ka thënë Peter Kunhardt, regjisor i dokumentarit “For Whom the Bell Tolls”.

I vetmi që mungonte në shërbimet përkujtimore për senatorin McCain ishte Presidenti Donald Trump.

McCain dhe Trump nuk janë pajtuar për një numër çështjesh, duke përfshirë marrëdhëniet mes Shteteve të Bashkuara dhe Rusisë. McCain ishte një kritik i ashpër i presidentit, për të cilin mendonte se ishte shumë pranë Moskës. Ai e shihte Presidentin rus, Vladimir Putin, si një diktator dhe shpesh nxiste në Kogres veprime kundër tij.

Disa analistë e shohin grindjen mes tyre si simbolikë të përplasjeve të vlerave brenda Partisë Republikane.

“Nuk jam i sigurt nëse kemi parë ndonjëherë, të paktën në jetën tonë, një situatë si kjo ku një president republikan dhe një senator republikan nuk e pëlqejnë njëri-tjetrin në një shkallë të tillë sa të mos të ftohet për funeralin e tjetrit dhe kur presidenti ndryshon mendimin nëse do të ngrejë flamurin në gjysmë shtize”, ka thënë analisti David Barker.

John McCain kishte qenë rob lufte në Vietnam. Ai ishte zgjedhur senator në gjashtë mandate. Dy herë ka qenë kandidat për president të Shteteve të Bashkuara.

Senatori McCain vdiq nga lloj agresiv i kancerit në tru, në moshën 81 vjeçare. (r.m.)

Comment

*