Amerika jep edhe një herë një shembull për demokracinë

Ruben Avxhiu

Ruben Avxhiu

Rrallë herë janë vënë kaq shumë në dyshim vlerat e demokracisë liberale amerikane sesa në kët cikël zgjedhor.
Për disa fitorja e Donald Trump shënon fundin e eksperimentit demokratik amerikan; për të tjerë fuqia e familjeve Bush e Clinton ishte një shenjë e degradimit të sistemit demokratik.
Çdo zgjedhje e re gjithësesi e vendos në provim sistemin amerikan që funksionon që prej më shumë se dy shekujsh, mirëpo të paktën sot, Amerika u tregua edhe njëherë në lartësinë me të cilën frymëzon botën demokratike.
Dita e sotme i pati të gjitha. Kalimin plot mirësjellje e mirëkuptim të pushtetit nga Presidenti Barack Obama te Presidenti Trump. Pjesëmarrjen e rivalëve në garën presidenciale: Hillary Clinton ishte aty, Bernie Sanders dhe të gjithë senatorët demokratë. Ishin të gjithë ish-presidentët që janë ende gjallë, përveç George HW Bush që ndodhet në spital, e që i dërgoi një letër të ngrohtë presidentit të zgjedhur.
Në krahun tjetër të qytetit, protesta vlonte duke shënuar një tjetër aspekt të rëndësishëm të demokracisë, të drejtën për të kundërshtuar politikanët e zgjedhur.
Sigurisht, fjalimi i presidentit të ri mund të ishte më përqafues dhe më optimist, por ai gjithësesi pasqyronte rrymën që solli Trump në Shtëpinë e Bardhë. Demokracia amerikane nuk ka pretenduar ndonjëherë që të jetë e përkryer. Përkundrazi është themeluar qysh në fillim si një punë në progres e sipër.
Rrëshqitjet dhe kthimet pas, kërcënimet për liritë e shtypit dhe të drejtat e njeriut, gjuha e urrejtjes që vetëtiu në këtë fushatë janë të gjitha pjesë e mësimit të madh se demokracia nuk është kurrë përfundimtare. Për të duhet luftuar brez pas brezi, zgjedhje pas zgjedhjesh.
Ndërsa një administratë e re po ngjitet në pushtet, shumë nga udhëheqësit e rij, përfshi edhe vetë Presidentin Trump ndodhen nën hetim për lidhjet e mundshme regjimin e Presidentit Vladimir Putin në Rusi. Ishte padyshim një aspekt negativ për demokracinë amerikane që që të dy kandidatët presidencialë ishin nën hetim nga FBI, po ishte edhe një tregues sesi funksionojnë institucionet e pavarura në kushte demokracie.
Sekreti magjik qendron në fuqitë e kufizuara të politikanëve por edhe të gjithë institucioneve që detyrojnë marrëveshje dhe bashkëpunim.
Pas thirrjeve alarmuese në zgjedhjet e kaluara për komunizëm në SHBA etj, tani kemi panikun e vendosjes së fashizmit. Nga një anë, këto akuza shpesh të tepruar nevojiten për mbajtjen gjallë të vigjilencës demokratike. Nga ana tjetër, të kujtojnë se në fund Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë dituar të ruajnë traditën e madhe të moderimit dhe maturisë. Historia amerikane dëshmon se entuziastët e fillimit zhgënjehen se mrekullitë që presin të sjellin presidentët e tyre nuk materializohen ndërsa alarmistët dalin rregullisht qesharakë.
Mbetet për t’u parë se çfarë do të ndodhë sidomos në katër vitet e ardhshme, me një president që për herë të parë nuk vjen nga klasa politike e që shpreh hapur përbuzje për shumë nga traditat me të cilat jemi mësuar.
Po në këtë ditë të parë të katëvjeçarit që sapo filloi, demokracia amerikane dha edhe njëherë shembullin që aspiruesit e demokracisë në botë presin prej saj.
Suksese Presidentit Trump! Është në duart e tij tani.

U.S. President-elect Donald Trump greets outgoing President Barack Obama (R) before Trump is inaugurated during ceremonies on the Capitol in Washington, U.S., January 20, 2017. REUTERS/Carlos Barria

U.S. President-elect Donald Trump greets outgoing President Barack Obama (R) before Trump is inaugurated during ceremonies on the Capitol in Washington, U.S., January 20, 2017. REUTERS/Carlos Barria

2017-01-20T162149Z_1_LYNXMPED0J198_RTROPTP_4_USA-TRUMP-INAUGURATION 2017-01-20T160428Z_1_LYNXMPED0J17X_RTROPTP_4_USA-TRUMP-INAUGURATION 2017-01-20T160428Z_1_LYNXMPED0J17R_RTROPTP_4_USA-TRUMP-INAUGURATION

2017-01-20T151547Z_1_LYNXMPED0J14V_RTROPTP_4_USA-TRUMP-INAUGURATION

Comment

*