Amerika nuk do të ketë një president socialist

Ruben Avxhiu

Nga Ruben Avxhiu

Senatori Amerikan nga Vermonti, Bernie Sanders u duk për një kohë si fituesi më i mundshëm i garës presidenciale në Partinë Demokratike, në fillim të vitit.
Mirëpo, kaq shumë gjëra kanë ndryshuar në këto javë e muaj, sa fillimi i vitit duket sikur i përket një epoke tjetër.
Kthesa që nisi në South Carolina, u vulos në Të Martën e Madhe të zgjedhjeve amerikane e pastaj në Michigan, Texas etj. Megjithë rigjallërimin e të majtës amerikane, Partia Demokratike vendosi të mbetej e ankoruar në “qendrën e artë”, do të shtoja edhe “romantike”, të një epoke që duket se po ikën në politikën amerikane e në botë.
Joe Biden, njeriu që mundi Sandersin, është një “xhentëllmen” nga koha e largët (ndonëse jo shumë) e debatit civil, përbuzjes së radikalizmit, të ndarjeve të politikanëve jo sipas vijave partiake, po sipas interesave të zonave që përfaqësonin, të kohës kur shqiptarët ishin ende vetëm tangjencialisht të interesuar në politikën amerikane se nuk kishte ende fyerje personale në publik, populizma, e udhëheqës të dashur që nuk gabojnë kurrë, apo që gabojnë gjithmonë, gjëra nga ato që na ngrohin zemrën dhe na bëjnë të mendojmë se kemi gjetur grupin e duhur nga mesi i të cilit të denoncojmë disa të tjerë.
Sigurisht çfarë konsiderohet “socialist” në SHBA është gjithmonë një kuriozitet më vete që mund të ndryshojë sipas ciklit zgjedhor.
Disa ide “socialiste”, në vite, është fitore e madhe që janë çimntuar në ligj, si e drejta për të mos punuar më shumë se tetë orë në ditë, për të mos punuar në fundjavë, për të marrë pushime të paguara (kjo poshtërsi e paparë socialiste nuk funksionon vërtet kudo në vend), etj. Në vend të “socialiste” disa nga këto ide mund të quheshin thjesht “humaniste”, “njerëzore”, “të arsyeshme”, po ata që luftuan kundër tyre i etiketonin “socialiste” për t’i penguar.
Ka një arsye të fortë se pse shumë amerikanë ishin gati të votonin për një të vetëquajtur “demokrat socialist” për president këtë vit, ashtu si edhe në 2016. Për ironi të fatit arsyeja është e ngjashme edhe me forcën që ushqeu votën për Presidentin Trump, përpara katër vitesh. Pabarazia në shoqërinë amerikane është thelluar jashtëzakonisht. Dhjetëra miliona njerëz kanë humbur punën se industritë ku familjet dhe qytetet e tyre janë punësuar për dekada janë arratosur jashtë vendit, në kërkim të krahut të lirë të punës. Kjo është sidomos flagrante sot, në kohën kur kriza e koronavirusit ka paralizuar botën dhe amerikanët janë kujtuar edhe njëherë se çdo gjë që blejnë e përdorin është e prodhuar diku tjetër, më së shumti në Kinë. Jo vetëm kaq po një numër i madh firmash amerikane që kanë përdorur globalizmin për t’u pasuruar po zbulojnë tani se fabrikat e tyre në Kinë janë ndërtuar në terren ligjor të rrëshqitshëm. Nëse mendojnë se do t’i zhvendosin që aty kur të duan, mund të hasin një realitet që nuk e kishin imagjinuar kur vrapuan drejt milionave të reja.
Kjo nuk ka qenë ndonjë përbetim fshetas popullsisë amerikane. “Heshtja” është blerë me çmimet e ulëta të gjithshkaje, që prodhohet fare lirë diku tjetër. Grykësia e shoqërisë konsumeriste amerikane është faktor i këtyre ndryshimeve që debatohen prej shumë kohësh.
Ata që nuk duan që socialistët të vijnë në pushtet në SHBA nuk duhet të krijojnë një gjendje që u ushqen ideologjinë socialiste. Rrënimi i vazhdueshëm i shtresës së mesme rrezikon gjithmonë ta kthejë shoqërinë në një pejsazh bardhezi me miliardierë nga njëra anë dhe me familje që kanë dy-tre vende pune dhe përsëri nuk arrijnë të sigurojnë një minimum jetese.
Ideja e të drejtës universale për kujdes mjekësor, për një minimum jetese e banese, nuk janë edhe aq radikale në kohën tonë. Synimi nuk duhet të jetë rrëzimi i kapitalizmit si kujtojnë disa të rinj të dalldisur militantë të Sandersit, por një aftësi për të korrigjuar kapitalizmin aty ku tregu nuk mundet. Mbi të gjitha është e nevojshme të luftohet për një treg të drejtë e të barabartë.
Dikur, madje edhe pak vite më parë, një grup djemsh inteligjentë dhe me fantazi shpikën e krijuan në garazhet e shtëpive të tyre, apo në dhomat e konvikteve në kolegje, risi e fillesa teknologjike e biznesi që transformuan botën. Nga Microsoft e Macintosh (Apple), te Amazon, Facebook, Google etj.
Kjo aftësi e jashtëzakonshme jep fryte vetëm në raste të këtilla, kur transformon gjithshka. Në “jetën reale”, talenti e shpikjet, krijimtaria dhe vizioni, blihen lirë. Konkurrenca është zëvendësuar nga ligji që i madhi ha të voglin. Në një epokë kur brenda pak vitesh qindra mijëra kafene të vogla, secila me kuriozitetet e veta, u fshinë nga faqja e dheut, për t’u zëvendësuar nga një gjigand si Starbucks me të njëjtën pamje e me të njëjtat shije e uniforma kudo, në proces e sipër, Amerika humbi qindra mijëra pronarë të vegjël kafenesh dhe fitoi një pronar të vetëm e qindra mijëra punëtorë të thjeshtë e menaxherë që varojnë nga të pasionuar në të padurueshëm.
Në këtë botë që ndryshon me shpejtësi, një nga viktimat e para sigurisht do të jetë kujtesa. Ndërsa për shumë shqiptarë fjala “socialist” është traumatike, për ata që kanë humbur statusin shoqëror në transformimet uniformuese të shoqërisë amerikane, etiketimet kanë më pak rëndësi. Kjo është edhe një nga arsyet se megjithë etiketimet që iu bënë fluturës sociale nga Neë York-u, me emrin Donad Trump, ai u zgjodh President i Shteteve të Bashkuara.
Sanders nuk mund të fitonte dhe ndoshta nuk duhej të fitonte. Unë nuk kam besim te propozimet për ndryshime drastike. Joe Biden nga ana tjetër ka kaq shumë miq në komunitetin shqiptar në SHBA e ka qenë kaq shumë pozitiv në vite të vështira për ne sa që është e natyrshme një simpati dhe njënashmëri në favor të tij.
Mirëpo, druhem se Biden përfaqëson një lloj refuzimi emocional nga ana e amerikanëve për të pranuar ndryshimin e pakthyeshëm. Çfarë funksionoi për shumë dekada nuk po ecën më, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në atë global.
Në nëntor, Biden do të përfaqësojë edukatën, taktin, dhe njerëzoren. Do të na kujtojë një kohë tjetër kur kundërshtarët respektonin njëri-tjetrin në publik, kur Amerika mund të bashkohej me një mesazh të vetëm.
Mirëpo, nga e majta në të djathtë, mëritë e inatet, dyshimet e frikërat, zilia dhe grykësia kanë dalë prej kohësh si macja prej thesit. Në nëntor, konservatorët që nuk e duan më një President si Donald Trump dhe majtistët që nuk duan më një President liberal si Joe Biden, mund të vendosin rezultatin. Ashtu si gjithmonë, ata që nuk do të votojnë, do të ndikojnë në peshoren politike ashtu si ata që votojnë.
Për Bernistët e pareformueshëm do të mbetet vetëm fantazia se çfarë mund kishte ndodhur, nëse do të ishte provuar diçka tjetër. Një tjetër shkundje e sistemit. Kësaj here nga e majta. Kësaj here jo për një njeri, por për një ideologji.

Comment

*