AMERIKA QË FRYMËZON KTHEHET NË VOTRËN E SAJ

Prof. Sami Repishti

Sami Repishti, PhD.

“Nuk ka forcë të grabitë demokracinë nga ne. As sot, as kurr në të ardhmen. Amerika ka përparue shumë, ka fitue shumë beteja, ka pranue shumë vuejtje të mos e lejojë” (6.XI.’20)

  Joseph R. Biden, Jr. President-elect i SHBA-së

Ridgefield. CT .- Stuhia e rrezikëshme katër vjeçare në vendin tonë kaloi! Nji ditë e re ka ague! Amerika që frymëzon botën mbar u kthye në në votren e saj. Demokracia amerikane tregoi forcën e saj, e fitoi!

Me 3 nandor 2020,u mbajtën zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Pjesëmarrja në votime ka thye rekordin: ma shumë se 160 miljonë qytetarë amerikanë votues treguen vullnetin e tyne në nji proces të rregulltë, atmosferë të lirë, dhe administrim me ndershmëni. Amerika ka 330 miljonë banorë.

Amerika që na frymëzon tregoi forcën e saj në mënyrë shembullore!

Mbas disa ditë votimesh u përfundue se numri ma i madh i votave të rregullta,- ma shumë se 78.6 miljonë vota- u fituen nga kandidati presidencial demokrat, i nderuemi Joseph R. Biden, Jr., ish N/President i Shteteve të Bashkueme (2008-2016) dhe politikan i karrierës për afër 47 vjet dhe me 6+ miljonë vota ma shumë se kundërshtari i tij, Presidenti Trump, që fitoi 72.01 miljonë. Kandidati Biden grumulloi 306 vota në Kolegjin Elektoral kundrejt 232 vota për kundërshtarin Trump. “Presidenti” D.J.Trump nuk pranoi rezultatet e dhanuna, dhe filloi nji seri ankimimesh ligjore pranë gjykatave federale të vendit, nji procedurë që do të zgjasë disa javë, dhe që pengon “tranzicionin” e pushtetit në duert e fitimtarit.

Ky qendrim obstruksionist ashtë i panjohun në historinë e republikës amerikane që nga fillimi, 244 vite ma parë, dhe damton randë prestigjin e votës së lirë dhe imazhin e SHBA-së para botës. Publiku amerikan ashtë i bindun në fitoren finale, dhe konsideron këte manevër politike nji metodë vonuese e kapriçeve të shumëta të ish-Presidentit Trump, nji narcisist i papërmbajtun, pa lidhje me normat tradicionale të vendit. Deri tashti, ish-Presidenti Trump nuk ka paraqitë nji evidencë me mbrojtë tezën e vet. Pa nji evidencë të tillë, nuk ka gjykime! Si rrjedhim gjykatat amerikane konsiderojnë ankimimet “without merit”!

Ky qendrim paraqitet nga shtypi trumpist sikur “votimet nuk kanë përfundue akoma”, se ata do të përfundojnë me ankimimet ligjore, prandej nuk dorëzohet pushteti. Të tjerë flasin për zgjedhje të qeta me gjithë vështirësitë e pandemisë vrastare ( ca.250.000 viktima), pa kercënime, pa dhunë, dhe pa pengesa për maqinën e demokracisë. Në rrugët dhe sheshet e qyteteve amerikane nderkaq, populli festoi rezultatin “Biden-Harris Victory” me flamuj, kumbonë dhe klaksone maqinash. Nji popull feston!

Fletorja me renome nderkombëtare The New York Times, në edicionin e saj të 8 nandorit 2020 shkruen me tituj të mëdhej: “Biden Beats Trump”, me këte përshkrim: ”Joseph Robinnette Biden Jr. u zgjodh presidenti i 46-të i Shteteve të Bashkueme, të shtundën, tue premtue restaurimin e normalitetit dhe frymën e bashkimit kombëtar në përballjen e krizave shëndetsore dhe ekonomike, që tmerrojnë sot vendin…..”

Fitorja e Z. Biden shikohet si përbuzëja e Z.Trump nga miljona votuesë të lodhun nga politika e tij perçarëse dhe administrata e tij kaotike, fitore që u ba e mundëshme nga nji koalicion i grave, qytetarëve me ngjyrë, pleq dhe të ri, si dhe nji sasi republikanësh të lodhun nga presidenti.

Me 13 nandor, shtypi amerikan njoftoi se zyrtarët e administrimit të votimeve, demokratë dhe republikanë hodhën poshtë akuzat e ish Presidentit Trump për vota “të vjedhuna” dhe “numrime jo të sakta”. Vetëm pak orë mbas votimeve, Z. Trump përsëriti akuzat e tia tue thanë se nji sistem maqinash i perdorun në votime “ka shlye 2.7 miljonë vota në të gjithë vendin”; kështu ai kundërshtoi grupin e zyrtarëve federalë të cilët lëshuen nji deklaratë të enjtën me 12 nandor ku deklarojnë pa asnji rezervë se votimet “kanë qenë ma të sigurtat në historinë amerikane” dhe se “nuk ekziston nji evidencë “ se ndonji sistem votimesh të ketë qenë komprometue.

“Që nga dita e shtunde në mëngjes, kur kandidati demokrat Biden u deklarue si fitues i

zgjedhjeve presidenciale të vitit 2020, ish Presidenti Donald Trump ashtë mbyllë në Shtëpinë e Bardhë, refuzon ma pranue disfatën, mbledh të holla për “nji forcë për mbrojtjen e zgjedhjeve”, dhe shpikë komplote të imagjinueme e teori mbi “vjedhjen“ e votave të partizanëve të tij. Nuk parashikohej si do të veprojshin ndjekësit e tij në 50 shtetet e federatës. Doli në shesh se ata vepruen njilloj si kanë veprue deri tashti për katër vite të gjata me rradhë: tue përkrahë ate në rrugën e gabueme. Deri në nji pikë!

Me 13 nandor, ish Presidenti Trump mbajti nji konferencë shtypi në Shtëpinë e Bardh në lidhje me aksionin anti-covid. Ai nuk zuni me gojë votimet dhe indirekt iu referue Administratës së ardhme, tue lanë me kuptue se nji tjetër fitues do të jetë president. Qartazi, pushteti po kalon qetësisht në duert e Presidentit të zgjedhun, zhvillim që edhe Z. Trump ma në fund e ka kuptue.

Rezultati i votimeve tregoi se zgjedhja e Senatorit nga California, Zonja Kamala Harris, ashtë me randësi historike: bijë e nji çifti me nanën nga India dhe babën nga Jamaica. Mbas zgjedhjes historike të ish Presidentit Barack Obama, 2008, zgjedhja e Zonjës Kamala Harris si nen-Presidente e SHBA-së ashtë fitorja e dytë madhore e demokracisë amerikane dhe nji provë e pakontestueshme e të ashtuqujtunit “exceptionalism”- Amerika vendi i oportunitetit për të gjithë. Ashtë e para herë që nji grue me ngjyrë zgjidhet nen-presidente e SHBA-së, nji hap i madh drejtë nji shoqënie ma civile dhe ma demokratike. (Ashtë opinion i pergjithshëm se Z. Biden do të udhëheq partinë demokratike nga pozita ma ideologjike – nga nji qendër e majtë….)

Por Z. Biden ka mbajtë gjithëherë nji pozicion afrimi, bashkimi, dhe pajtimi, nji krakteristikë e posaçme e tia që në ditët e para të jetës së tij politike. “Tashti që fushata elektorale ashtë perfundue, theksoi ai, ka ardhë koha me harrue inadet tona dhe retoriken e ashpër , dhe me u bashkue si nji komb i pandamë. Ka ardhë koha për Ameriken me u bashkue dhe me sherue plagët e hapuna. Na jemi të gjithë Shtetet e Bashkueme të Amerikës. Dhe nuk ka objektiv që nuk mund të marrim, dhe të marrim së bashku”. (Joseph R. Biden, Jr.)]

Z.Trump, në deklaratën e tij tha se“…nuk janë perfundue zgjedhjet, përkundrazi, dhe se “…do të filloj ndjekjen e objektivave tona në gjykata”. Ai nuk dha hollësina! Por me refuzimin e rezultatit të zgjedhjeve, Z. Trump duket se u ban thirrje ndjekësve të tij me “vallëzue dancing” e mosmarrëveshjes dhe pa dyshim ka mjaft që do të pranojnë! Ka pasë disa incidente me dhunë nga “trumpistët” e demonstrata të zhurmëshme, deri tashti pa incidente. Shumë amerikanë shqetësohen se këto “mosmarrëveshje” nuk kanë vetëm karakter politik, por edhe personal, në relacionet ndërqytetare. Fatkeqsisht, ky orientim ka damtue edhe unitetin e bashkësis shqiptaro-amerikane. Nji humbje e madhe për të gjithë!

 Partia Republikane -tashti “the Trump Party”- ka humbë shumë nga prestigji i saj si “Partia e Lincoln-it”, mbajtëse e vlerave dhe traditave amerikane, si atdhetarizmi, feja, trashëgimi patriotik, konservatizmi politik, ekonomik dhe shoqënor në mes tjerash, dhe për katër vite ajo u paraqit si nji grumbull amorf qytetarësh statikë dhe të gatshëm me avancue “tezën” trumpiste. Me humbjet në votimet e 3 nandorit 2020, PR e Amerikës asht tronditë. Zane të reja thrrasin për nji “rinovamento” të pikëpamjeve politike dhe të kuadrova për drejtim.

 Nuk duhet të harrojmë se republikanët kanë fitue 72 miljonë vota, dhe 7 deputetë

në Dhomën e Perfaqësuesve; ata kanë humbë nji senator (në Arizona). Kjo tregon se ajo përban nji forcë të vertetë politike dhe ushqen shpresën e nji kthimi në fuqi në të ardhmen si nji parti e rinovueme.

 Elektorati amerikan përballet me dy sfida madhore:

 

  1. Si të veprojë për asgjasimin e influencës së “Trump Party” në publik, e sidomos racizmin e tij malinj dhe sistematik; dhe
  2. Çfarë mund të bahet me pengue ardhjen e nji “Trumpi” të ri në të ardhmen?

 Me gjithë gabimet e mëdha në qeverisjen e ish Presidentit Trump, nuk mund të veprohet me frymën e hakmarrjes.“Republikanët”përfundimisht janë bashkëatdhetarë që mendojnë ndryshe, nji qendrim që garantohet nga Kushtetuta si e drejtë e mendimit dhe veprimit të lirë. Fajtori kryesor ashtë qytetari Donald J.Trump i cili mashtroi masat me nji propagandë populiste, negative dhe anmiqsore. Gjendja e randë që trashëgojmë sot ashtë ma e randë se “fatkeqsia Trump”. Sepse edhe humbja ka pasoja nga ata që kapen mbas premtimeve të tia.

 Afërsisht 40 përqind e votuesve amerikanë dëshirojnë mbajtjen e tarifave doganore dhe murit kufitar me pengue lëvizjen e lirë të mallnave dhe personave, emigrantë ilegalë në SHBA, tue përfshi edhe deportimin e tyne. Ashtë nji reagim popullor kundër “globalizmit” dhe emigracionit.

Të tjerë elementë negativë që republikanët përqafojnë janë: dallimet racore, sidomos popullsinë zezake, nji viktimë e persekutimit sistematik që nga shekulli 16, koha kur grabiteshin, burra, gra e fëmij, nga piratët amerikanë, transportoheshin të lidhun me zinxhirë në hambaret e vaporeve pirateske ku vdisshin me qindëra, e shiteshin si skllavë në tregjet e shteteve jugore të Amerikës.

 Humbja e vendeve të punës sidomos në industri ka dermue shoqëninë amerikane,e klasën punëtore që ka qenë vazhdimisht demokrate me sindikata të fuqishme. Shumë impiante industriale u larguen dhe u vendosën në Kinë e Meksikë, kryesisht. Nuk ka dyshim se ish Presidenti Trump fitoi, me 2016 me votat e këtyne të pa punësuemëve.

 U krijue kështu nji atmosferë shqetësuese me vdekje fëmijsh, gra pa burra, vdekje nga alkoholizmi dhe nga droga. Emigrantët që punojshin në punët ma të vështira zunë vendet e pakëta pune si argatë të pakualifikuem. Globalizmi për mallna dhe persona ngriti zemrimin në shumicën e popullsisë.“Tregëtia e lirë dhe globalizmi” shkruente Sarah Stockman, “kanë pasunue vendin, Por ky pasunim ka qenë në favor të kapitalit dhe të arsimuemëve, ndersa damet e tyne ranë mbi shpatullat e amerikanëve të papunë”.

 Shumë punëtorë të pakualifikuem kanë votue për ish Presidentin Trump. Ata “adhurojnë” personin që vuni tarifat. Por nuk kanë qenë shumë nga ata punëtorë që kuptuen se Trumpi nuk ka qenë në anën e tyne. Edhe në vitin 2017, zbritja e taksave ndihmoi vetëm të pasunit dhe korporatat. Tani që ish Presidenti Trump përpiqet me eliminue ligjin për sherbime mjekësore (the Affordable Care Act) të vendosun nga ish Presidenti Obama e që mbulon mbi 21 miljonë familje amerikane, ish-perkrahësit kuptuen cili ashtë në fakt ish Presidenti Trump, dhe votuen kundër tij.

 Por “goditja vdekësore” për fushatën elektorale të Z. Trump ka qenë pa aftësia e plotë e tia me udhëheqë në luftën kundër pandemisë COVID-19. Ai e fshehu rrezikun qe vinte nga Kina që nga nandori 2019 deri në mars 2020, kur bashkëpunëtorët e tij e paralajmëruen se smundja paraqet rrezikun ma te madh për administratën e tij presidenciale. Ndërkaq, pandemia bani kërdinë në popullsi dhe numri i te vdekuneve arriti në 1.000 viktima në ditë. Ish presidenti Trump refuzoi me marrë masa drastike -ashtu si e gjithë bota e jashtëme- refuzoi këshillat mjeksore nga ekspertët mjeksorë, dhe smundja u përhap. Të zhgënjymë nga ky zhvillim fatkeq, shumë amerikanë vendosën me votue kundër dhe “me u lirue”nga ky ankth. Por asgja nuk bindi ish Presidentin Trump se ky qendrim i padeje dhe shumë i rrezikshëm do të sjellte disfaten e tij…që ai akoma refuzon me pranue…!

 Shkrime alarmuese njoftojnë se ish-Presidenti Trump po pergatitet për nji “coup d’etat” Në fakt, ai pushoi nga puna sekretarin e mbrojtjes, Mark Esper, sepse refuzoi me nxjerrë trupat ushtarake për qetësimin e turmave në demonstrata masive në shumë qytete të Amerikës, dhe e zevendsoi atë me nji element besnik të ish–Presidentit, dhe persona që ai mendon se kontrollohen. Flitet që ai mendon me pushue nga detyra edhe shefin e FBI-së dhe CIA-së dhe me i zevendsue me “lojalistë”. Simbas analistit Masha Gessen të revistës The New Yorker, Trump ban përpjekje me arrijtë nji “autocratic breakthrough” (nji hymje në autokraci) dhe me diskreditue kështu rezultatet e zgjedhjeve të cilat i japin fund qeverisjes së tij. Shanset e tij me fitue janë shumë të vogla; megjithate ashtë me randësi me kuptue si duhet se Presidenti i SHBA-së tenton nji “coup” që do të shkatërronte demokracinë amerikane, si e njohim na në historinë 244 vjeçare.

 Dezertimet nga vija politike e ish Presidentit nga republikanët në Kongres vijnë me pak vonesë. Kongresistët heshtën kur Trumpi abandonoi aleatët tonë ushtarakë në Azi e në Europë, sulmoi institucionet tona qeveritare dhe nxiti sentimentet raciste e frikën në popull, nji gabim fatal që ndau popullin amerikan…. Sot ka shenja se kongresistët republikanë kanë arrijtë përfundimin se ish Presidenti Trump ka pësue nji humbje të plotë në zgjedhjet e 3 nandorit dhe përpiqen të distancohen nga ai. Flitet për nji fëtyrë të re republikane që nuk ashtë ajo e Trumpit, dhe për forcimin e identitetit të humbun republikan. Giithashtu flitet haptas se qarqet republikane me influencë punojnë intensivisht për rindertimin e PR-se mbas humbjes.

 Edhe marrëdhanjet me botën e jashtëme do të pësojnë nji ndryshim rranjësor në epokën e Presidentit Joe Biden. Në nji ese prej 30 faqesh, botue në revistën Foreign Affairs, Nov/Dec. 2020:

 “Pse Amerika Duhet Të Udhëheq–Ripërtrimja e Politikës së Jashtëme mbas Trumpit” ai shkruen:

“ Sido që të matet, kredibiliteti dhe influenca e Shteteve të Bashkueme në botë ka pësue nji zbritje mbas largimit të Presidentit Obama nga zyra presidenciale, me 20 kallndor 2017. Presidenti Donald Trump ka pakësue peshën tonë, ka damtue dhe në disa raste ka abandonue aleatët dhe partnerët tonë. Ai ka ofendue profesionistët e sherbimeve informative, diplomatëve, dhe forcave të armatosuna. Ai ka forcue kundërshtarët tonë dhe ka keqpërdorue mjetet tona në sfidat e sigurimit kombëtar që vijnë nga Koreja e Veriut, Irani, nga Siria deri në Afganistan dhe Venezuela, pa pasë asgja me tregue përse. Ai ka shperthye lufta tregëtare kundër miqëve të Shteteve të Bashkueme si dhe të anmiqve nji lloj, që damtojnë klasën e mesme amerikane. Åi ka heq dorë nga udhëheqja amerikane në mobilizimin e aksioneve kolektive me përballue kercënime të reja, veçanërisht të atyne që janë unike për shekullin tonë. Åi thellësisht ka neglizhue vlerat demokratike që i japin forcë kombit tonë e na bashkojnë të gjithë si nji popull.

 Nderkaq, sfidat globale që përballojnë Shtetet e Bashkueme -që nga ndryshimet klimaterike dhe emigracionet masive deri te ndërpremjet teknologjike dhe smundjet infektive-janë ngritë në nji kompleks dhe janë ba ma urgjente me ngritjen e shpejtë të autoritarianizmit, nacionalizmit dhe anti-liberalizmit që minojnë aftësinë tonë me i përballue në forma kolektive. Demokracitë – të paralizueme nga hipër-partizania, të lëkunduna nga korrupsioni, të randueme nga pesha e pabarazisë- e gjejnë shumë të vështirë me mbajtë premtimet e dhanuna popujve tyne. Frika nga Tjetri ashtë rritë. Edhe sistemi ndërkombëtar që Shtetet e Bashkueme kanë ndertue me aq kujdes po shkyhet nga forcat përçarcëse. Trumpi dhe demagogët rreth e rrotull botës mbështeten në këto forca për përfitime personale dhe politike….

Presidenti i ardhshëm i Shteteve të Bashkueme do të flasë para të gjithë botës në kallndor 2021, dhe do të mbledhë copat e shpërndame që do të jetë nji ndërmarje enorme. Ai do të përpiqet me nxjerrë nga pozita ku kanë ra emnin tonë të mirë, me ndertue konfidencën në udhëheqjen tonë, me mobilizue vendin tonë dhe aleatët tonë për përballimn e shpejt të sfidave të reja. Nuk do të kemi kohë me humbë….”(ff. 1,2) “….Menjiherë, na duhet të pajisemi me (ata) forca dhe të mbledhim Botën e Lirë me përballue sfidat që na dalin para sot. I takon Shteteve të Bashkueme me udhëheq. Nuk ka komb tjetër që ashtë ndërtue mbi këte ide. Na duhet me proklamue lirinë dhe demokracinë, me rifitue krediblittin tonë, me shikue me nji optimizëm të pandërpremë dhe me vendosmëni të ardhmen tonë.” (f. 30)

—————————————-

 


     

Comment

*