Amerikanët ankohen: Shqipëria, shumë e shtrenjtë, taksat shkojnë deri në 40% e fitimit

Biznesi ankohet se barra reale e taksave në Shqipëri është dy herë më e rëndë sesa thuhet zyrtarisht nga qeveria. Presidenti i Dhomës amerikane të Tregtisë, Mark Crawford thotë se dhjetëra taksa dhe tarifa që shtohen vit pas viti e kanë bërë barrën fiskale të papërballueshme.

“Nëse shikon në letër 15 për qind, nuk duket një normë shumë e lartë krahasuar me botën. Por, janë 30 taksa dhe tarifa të tjera të vogla, të cilat e çojnë barrën e taksave 20-30 për qind, e ndoshta deri në 40 për qind të fitimit, ose të të ardhurave personale”, thotë Crawford.

Sipas tij, taksat e larta janë prej vitesh pengesa kryesore e biznesit në Shqipëri. Madje, ai thotë se politika fiskale shpesh është kaotike.

“Është e pamundur që një kompani të ndërtojë hotel me 5 yje, kur nga një anë hiqen taksat, por nga ana tjetër shtohet një taksë në rrugë për turistët nga Kosova që vijnë këtu”, thotë presidenti i Dhomës amerikane të Tregtisë.

Por taksat e larta nuk janë problemi i vetëm që vuan sipërmarrja. Crawford thotë se, ndryshe nga vendet e rajonit, në Shqipëri politika e taksave nuk ka qëndrueshmëri.

“Nëse ne e ndryshojmë paketën fiskale vit për vit dhe gjatë vitit shtojmë tarifat, është shumë e vështirë për një kompani të huaj të planifikojë. Ata kanë aksionerët e tyre, burimet e tyre dhe pritshmëritë e tyre nga jashtë”, shprehet Crawford.

Sipas kreut të Dhomës amerikane, klima e paqartë dhe taksat e larta kanë dekurajuar shumë investitorë të huaj të vijnë në Shqipëri.

“Unë nuk jam shumë i shqetësuar për ata që janë këtu, madje duhet të kujdesem për ata që janë këtu sepse janë publicitet më i mirë, ose më i keq, për të tjerët që mund të vijnë. Por jam i shqetësuar për ata që mund të kishin ardhur dhe nuk e kanë bërë një gjë të tillë. Nuk jemi në nivelin që mund të jemi rehat me këtë situatë siç është aktualisht”, përfundoi Crawford intervitën për Top Channel.

 Top Channel

Comment

*