Andis Gjoni sjell në shqip komedinë e Mark Tuenit “A vdiq ai?”

Tiranë, 30 prill 2018 – Artisti i njohur shqiptar Andis Gjoni erdhi këto ditë nga Nju Jorku në Tiranë për të përzgjedhur aktorët dhe për të vënë në skenë komedinë e shkrimtarit të famshëm amerikan Mark Tuein me titull “A vdiq ai?”.

Vepra nuk i pa dritat e skenës për më shumë se 100 vjet dhe vetëm kohët e fundit u rizbulua dhe po bëhet pjesë e shfaqjeve teatrore në disa shtete.

“Përpiqemi të krijojmë edhe ura artistike mes Shqipërisë dhe SHBA-ve. Komedia e Mark Tueinit “A vdiq ai?” është intriguese, plot humor, ku përfshihen piktorë dhe artistë me vuajtjet dhe sakrificat, që i kanë kushtuar jetën artit. Në këtë komedi çdokush gjen groteskun e shoqërisë, që nuk i vlerëson artistët në të gjallë por ju jep famë dhe parà vetëm pas vdekjes”, tha zoti Gjonaj.

Andis është duke zhvilluar audicionet me artistë shqiptarë, të cilët do të luajnë në rolet në komedinë e Mark Tueinit, e cila do të ngjitet në skenë si premierë në muajin qershor.

Deri atëherë ai po mban ende të fshehtë emrat e artistëve të mirënjohur të teatrit dhe filmit, që do t’u besojë rolet kryesorë, të cilat si në cdo komedi nuk janë aspak të lehta.

Komedia e Mark Tueinit denoncon me humor dhe gjuhë të pasur artistike hipokrizinë e shoqërisë, e cila i nënvlerëson artistët sa janë gjallë dhe nuk u jep merita dhe suksese, por i vlerëson vetëm pasi vdesin. Andis thotë se ashtu si kolegët në Tiranë, ai dhe artistë të tjerë shqiptarë me banim në nju jork përpiqen të krijojnë veprat e mes vështirësive jo të vogla.

“SHBA është vendi i mundësive të mëdha, ndonëse ka edhe vështirësi. Për artistët në Tiranë gëzohem kur arrijnë të shfaqin veprat e tyre dhe duket se ka një gjallëri më të madhe”, tha zoti Gjoni.

Regjisori beson se humori i artistëve me vështirësitë e vet jetës së tyre do të sjellë një sukses të garantuar falë penës mjeshtërore të Mark Tueinit, i cili edhe vetë e shkroi komedinë, kur ishte në vështirësi të mëdha dhe borxhe të shumta.

Premiera e komedisë së Tueinit do të jetë në Tiranë ditët e fundit të qershorit dhe ditët e para të Korrikut, në kohën e veprimtarive kushtuar 4 korrikut, ditës së pavarësisë së SHBA-ve.

(Ilirian Agolli, Zëri i Amerikës) 

Comment

*