Anëtarët e rinj të KLGJ dhe KLP dlo t’i zgjedhë parlamenti i ri

Tiranë, 16 tetor 2020 – Anëtarët e Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP) do të zëvendësohen në dhjetor të vitit 2021 nga Parlamenti i ri që do të dalë nga zgjedhjet e 25 prillit. Vendimi u mor dje në mbledhjen e KLGJ-së  .

Kjo vendimmarrje e qeverisë së gjykatësve erdhi pak ditë pas shpalljes nga Kuvendi i Shqipërisë në datën 8 tetor të thirrjes për aplikim për vendet vakante për anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor dhe Këshillin e Lartë të Prokurorisë.

“Në këto kushte, me qëllim sqarimin dhe saktësimin e situatës juridike të krijuar nga kjo nismë, Këshilli miratoi një shtesë në vendimin nr. 5, datë 20.12.2018, duke përcaktuar se mandati i anëtarëve të Këshillit që shërbejnë me mandat 3- vjeçar përfundon në datën 12.12.2021, ndërsa mandati i anëtarëve që shërbejnë me mandat 5-vjeçar përfundon në datën 12.12.2023”, thuhet në njoftimin e KLGJ-së shpërndarë për mediat.

Në letrën e firmosur nga sekretari i përgjithshëm i Kuvendit, Genci Gjonçaj, shpalleshin vakancat në KLP për pozicionet që aktualisht mbahen nga Gent Ibrahimi dhe Sandër Beci, ndërsa në KLGJ, për ato të Maksim Qokut dhe Erjon Muharremajt. Sipas kësaj shpallje nga Kuvendi, mandati i tyre do duhej të përfundonte në shkurt të vitit të ardhshëm, kur plotësohen 3 vite nga votimi i tyre në Kuvend. Ndërsa KLGJ-ja dhe KLP-ja ka argumentuar se mandati i tyre duhet të përfundojë në datën që përkon fiks me 3 vite nga momenti që ata kanë filluar zyrtarisht detyrën e tyre në këto institucione të reja të drejtësisë.

(Panorama.al)

Comment

*