Angela Merkel do ta qeverisë Gjermaninë edhe një mandat

Angela Merkel do të jetë kancelare e Gjermanisë edhe një mandat. Partia e saj, CDU, ka dalë fituese e zgjedhjeve të përgjithshme që u mbajtën të dielën. Tani mbetet e hapur çështja e koalicionit.

 

Berlin, 24 shtator 2017 – Zgjedhjet parlamentare në Gjermani, të dielën, e konfirmuan përsëri zonjën Angela Merkel për kancelare të vendit. Ky do të jetë mandati i katërt i “zonjës së hekurt”.

Unioni Kristian Demokrat, CDU, i zonjës Merkel, me 33,2 për qind të votave, mbetet përsëri forca kryesore politike në Bundestagun gjerman, ndonëse kjo parti fitoi rreth 8 për qind më pak se në zgjedhjet e vitit 2013, raporton Deutsche Welle.

Partia Socialdemokrate (PSD) e Martin Schulz-it ka fituar 20.8 për qind, Alternativa për Gjermaninë (AfD) 13,2 për qind, Partia Liberal Demokratike (FDP) 10,1 për qind, E majta 8.9 për qind dhe Partia e Gjelbërt 9.3 për qind.

Në përbërjen e re të Bundestagut do të jenë gjashtë parti politike, një më shumë se në përërjen e kaluar.

Këto rezultate përbëjnë një sfidë të re për Angela Merkelin. Me rikthimin e liberal-demokratëve në parlament, Angela Merkel i ka dy mundësi për koalicion.

Vazhdimi i koalicionit qeverisës me bazë të gjerë me PSD-në nuk ka gjasa, sepse socialdemokratëve nuk u përshtatet roli i partnerit më të voglit, prandaj ajo nund të preferojë të dalë në opozitë dhe të ripërtërihet përbrenda.

Kështu, zonjës Merkel i mbetet opsioni për një koalicion me liberal-demokratët (FDP) dhe me Të Gjelbrit.

Ky është një terren i ri politik, ndaj bisedimet e koaliconit mund të zgjasin shumë. Por, ajo që mbetet është fakti se nuk do të ketë eksperimente. (r.m.)

Comment

*