Ankesat eventuale në Kushtetuese nuk e ndalin konstituimin e institucioneve

Prishtinë, 8 nëntor 2019 – Rezultati i zgjedhjeve të 6 tetorit nuk do të marrë epilog as pas shpalljes së rezultateve përfundimtare nga Komisioni Qendror Zgjedhor, pasi Nisma Socialdemokrate dhe disa subjekte të komunitetit joshumicë kanë deponuar ankesa në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa (PZAP) dhe paralajmërojnë se mund t’i drejtohen edhe Gjykatës Supreme dhe Gjykatës Kushtetuese.

Këtë paralajmërim e ka bërë koalicioni Nisma-AKR-PD, drektuesit e të cilit paralajmërojnë se do të kërkojnë të shpallen të pavlefshme votat e ardhura me postë nga Serbia, shkruan sot Koha Ditore.

Por, pavarësisht ankesave, sipas Ligjit për Zgjedhje dhe sipas interpretimit të juristëve, subjektet që kanë dalë fituese të zgjedhjeve mund të nisin procedurat për krijimin e institucioneve të reja.

PZAP-ja ka afat 72 orë për të vendosur mbi ankesat e subjekteve. Nëse ankesa refuzohet si e pabazuar, subjektet mund të ankohen në Gjykatën Supreme, pas së cilës nëse nuk vendoset ndryshe, KQZ-ja mund të procedojë me certifikim të rezultateve.

“KQZ-ja certifikon rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve, pas përfundimit të të gjitha procedurave në vendvotime dhe qendrat e numërimit, si dhe kur të gjitha ankesat që u përkasin votimit dhe numërimit të vendosura nga PZAP-ja dhe çdo apel ndaj vendimeve të PZAP-së lidhur me to të jetë vendosur nga Gjykata Supreme e Kosovës”, thotë neni 106.1 për ndryshimin dhe plotësimin e Ligjit për zgjedhjet e përgjithshme në Republikën e Kosovës.

Ish-kryetari i Gjykatës Kushtetuese, Enver Hasani, ka thënë se, nëse Kushtetuesja e miraton kërkesën, mund të kërkojë anulim të atyre votave. Ai ka shtuar se kjo mandej do të implikonte ricertifikimin e zgjedhjeve, për t’ia kthyer ulëset Nismës.

“Bëhet anulimi i votave, konstatohet që Nisma kalon pragun dhe verifikohen zgjedhjet. Ama këtë e bën vetëm Gjykata Supreme, duke u bazuar në vendimin e Gjykatës Kushtetuese”, ka thënë Hasani.

Sipas tij, nëse Nisma-AKR kërkon masë të përkohshme, Kushtetuesja duhet të vendosë shpejt. (r.m.)

Comment

*