Annegret Kramp-Karrenbauer zgjidhet kryetare e re e CDU-së

Berlin, 7 dhjetor 2018 – Annegret Kramp-Karrenbauer është kryetare e re e Bashkimit Kristiano-Demokratik (CDU) të Gjermanisë.

Annegret Kramp-Karrenbauer i fitoi 51 për qind të votave në raundin e dytë të votimit, në Kongresin e CDU-së në Hamburg. Ajo i fitoi 517 vota, kurse konkurrenti i saj, Friedrich Merz, i fitoi 482 vota. Kanditati i tretë, Jens Spahn, u eleminua në raundin e parë të votimit.

Në fjalën e saj pas zgjedhjes, Annegret Kramp-Karrenbauer pranoi e emocionuar fitoren me diferencë të vogël votash. Ajo tha se nuk është “kopje e Angela Merkelit”, siç e cilësojnë.

“Njerëzit më konsiderojnë një kopje, më shumë nga e njëjta gjë, por unë mund t’ju them se qëndroj këtu me personin tim, si vetja ime”, tha ajo, citon DW.

56 vjeçarja Kramp-Karrenbauer ishte kandidatja e preferuar e Kancelares Angela Merkel. Më parë ajo ka qenë kryeministre e suksesshme në landin e vogël të Zarës, ku drejtoi një koalicion tripartiak. Ajo ka reputacionin se është e aftë të bashkojë pozicione të ndryshme brenda CDU-së dhe një talent për aleanca me parti të tjera.

Kramp-Karrenbauer tani është favorite për t’u bërë kancelarja e ardhshme e Gjermanisë, ndonëse asaj do t’i duhet të presë. Kancelarja aktuale Angela Merkel ka thënë që synon ta mbajë këtë pozitë deri në vitin 2021.

Merkel ka qenë gjigante jo vetëm në politikën gjermane, por edhe në politikën evropiane dhe botërore. (r.m.)

Comment

*