Ansambli i Forcave Ajrore të SHBA-ve për Evropë, koncert në Kosovë

Prishtinë, 14 shkurt 2018 – Ambasada e SHBA-ve në Prishtinë njofton se Ansambli i Forcave Ajrore të SHBA-ve për Evropë (USAFE) do të arrijë në Kosovë, ku do të mbajë disa koncerte në kuadrin e festimeve të dhjetëvjetorit të shpalljes së pavarësisë së Kosovës.

“Kemi nderin që na është dhënë mundësia të interpretojmë në këtë ngjarje të veçantë,” ka thënë nënkoloneli Don Schofield, komandant i Ansamblit USAFE.

“Interpretimet si ky krijojnë mundësi për ndërtimin e marrëdhënieve mes SHBA-ve dhe Kosovës, duke forcuar mirëkuptimin dhe vlerësimin kulturor të ndërsjellë, përmes angazhimeve qytetarë me qytetarë, partneriteteve dhe miqësive”, ka shtuar ai.

Ansambli i Forcave Ajrore të SHBA-ve për Evropë do të performojë për qytetarët në Prishtinë (Sheshi Nëna Terezë, e enjte, ora 20), në Prizren (Sheshi Shadërvan, e diel, ora 12) dhe në Pejë (Kinemaja Jusuf Gërvalla, e diel, ora 19).

Gjatë qëndrimit në Kosovë ky ansambël do të vizitojë edhe trupat e SHBA-ve dhe trupat e misionit paqeruajtës të NATO-s në Kosovë, KFOR, të cilat gjenden në këtë vend që nga viti 1999.

Në përbërjen e Ansamblit të Forcave Ajrore të SHBA-ve për Evropë që do të performojë në Kosovë do të jenë rreth 15 muzikantë. (r.m.)

Comment

*