AP: Kryeministrja e ardhshme e Serbisë e ka propozuar një qeveri pro-ruse

Beograd, 27 qershor 2017 – Kryeministrja e ardhshme e Serbisë, Ana Brnabiq, e ka propozuar një politikan pro-rus për ministër të mbrojtjes, duke i shuar shpresat e perëndimit se nominimi i saj sinjalizon largim nga ndikimi i Moskës, raporton agjencia AP nga Beogradi.

Televizioni shtetëror i Serbisë ka raportuar se kryeministrja e nominuar, Ana Brnabiq, e ka propozuar sot  listën e ministrave të kabinetit të saj për miratim në parlament.

Në këtë listë përfshihet edhe Aleksandar Vulin, ish-ministër i punës, i cili do ta udhëheq Ministrinë e Mbrojtjes.

Në listën e saj përfshihen edhe disa zyrtarë që janë deklaruar hapur pro-Kremlinit dhe kundër Perëndimit, raporton AP.

Në fillim të këtij muaji, Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, ish-kryeministër, e nominoi për kryeministre Ana Brnabiqin, e cila është shkolluar në Shtetet e Bashkuara dhe në Britani.

Kjo lëvizje u pa si përpjekje e Beogradit për zbutjen e shqetësimeve të Perëndimit se Serbia po i afrohet shumë Rusisë.

Ana Brnabiq, e cila do të jetë femra e parë kryeministre e Serbisë, pritet ta fillojë punën këtë javë.

Ajo është deklaruar hapur se është lezbike.

/Koha.net/

Comment

*