Apostolova ka dy kërkesa për liderët politikë lidhur me zgjedhjet

Prishtinë, 19 maj 2017 – Përfaqësuesja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalia Apostolova, u ka bërë thirrje të gjithë liderëve politikë që të sigurojnë se zgjedhjet dhe fushatat zgjedhore do të kryhen në përputhje me standardet politike dhe që në lista të vendosen kandidatët që i përmbushin standardet më të larta të zyrtarëve publikë.

“U bëj thirrje liderëve politikë që të sigurojnë që në lista të vendosen kandidatë të mirë, të cilët i përmbushin standardet më të larta të zyrtarëve publikë. Më lejoni t’i inkurajoj qytetarët e Kosovës, jashtë dhe brenda vendit, që të shfrytëzojnë të drejtën e tyre dhe të votojnë përfaqësuesit dhe për të ardhmen e tyre“, tha Apostolova.

Përfaqësuesja e BE-së në Kosovë i bëri këto komente pas nënshkrimit të memorandumit të mirëkuptimit me kryetaren e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve (KQZ), Valdete Daka, dhe ministrin e Punëve të Jashtme në detyrë, Enver Hoxhaj.

Apostolova foli edhe për misionin vëzhgues dhe për qëllimin e nënshkrimit të memorandumit.

“Më lejoni të them se zgjedhjet në Kosovë do të mbahen në një moment kritik për reformat e saj lidhur me BE-në. Gatishmëria e BE-së të dërgojë monitorues në një afat kaq të shkurtër tregon se BE-ja është shumë e përkushtuar ndaj Kosovës dhe tregon rëndësinë që BE-ja ua kushton këtyre zgjedhjeve. Dua ta shfrytëzoj rastin dhe të them se zgjedhjet e drejta dhe të lira janë bazë e çdo demokracie të shëndetshme. Në të vërtetë ato sigurojnë që qeveritë fitojnë fuqitë e tyre nga sundimi i popullit. E nënvizoj se BE-ja pret një proces zgjedhor të lirë, të drejtë, transparent dhe të besueshëm. Prandaj, ne u bëjmë thirrje të gjithë liderëve politikë që të sigurojnë se zgjedhjet dhe fushata zgjedhore do të zhvillohen në përputhje me standardet politike”, tha Apostolova.

Kryetarja e KQZ-së, Valdete Daka, tha se përmes këtij memorandumi KQZ-ja garanton qasje dhe lehtësi për misionin vëzhgues të BE-së.

“Përmes këtij memorandumi, KQZ do të garantojë lehtësi dhe qasje të misionit vëzhgues të BE-së dhe anëtarët e saj për aspekte që ndërlidhen me procesin zgjedhor. KQZ e vlerëson lart interesimin e BE-së për të vëzhguar këto zgjedhje dhe konsiderojmë se kjo do t’i kontribuojë rritjes së besueshmërisë dhe integritetit të procesit zgjedhor“, tha Daka.

Daka shtoi se edhe në të kaluarën ishite nënshkruar një memorandum i tillë. Sipas saj, raportet që kanë dalë nga vëzhguesit e BE-së kanë qenë të mirëseardhura për institucionin që ajo e drejton.

Ajo tha se shpreson që këto zgjedhje dhe raportet lidhur me procesin zgjedhor të pasqyrojnë zgjedhje fer dhe të lirë dhe se rezultatet e zgjedhjeve do të pranohen nga të gjithë.

Në emër të Qeverisë së Kosovës, nënshkrimin e memorandumit e ka bërë ministri i Punëve të Jashtme në detyrë, Enver Hoxhaj. Ai tha se Qeveria ofron të gjitha masat teknike për misionin e BE-së gjatë zgjedhjeve.

“Për neve, si një vend demokratik, si një vend i cili po ndërton një shoqëri të re, organizimi i zgjedhjeve të lira, fer e demokratike dhe mbajtja e një gare po ashtu në mes të partive politike është gjëja më e rëndësishme që mund të bëjë një shtet i ri. Në këtë drejtim, arritja e standardeve më të larta është një qëllim i yni madhor, si Qeveri e Kosovës. Dua t’ju informoj që Qeveria e Kosovë do t’i ndërmarrë të gjitha masat që vëzhguesit e BE-së të mbështeten në rrafshin teknik dhe të kemi kushte të favorshme me qëllim që punën e tyre ta kryejnë në mënyrë të pavarur dhe profesionale“, tha Hoxhaj.

Ai tha se edhe Presidenti i vendit, Hashim Thaçi, e ka ftuar një delegacion të BE-së dhe se ky memorandum e ka mbështetjen e të gjitha institucioneve të Kosovës. (r.m.)

Comment

*