Apostolova: Kosova është vonuar në zbatimin e reformave

Prishtinë, 12 qershor 2018 – Shefja e Zyrës së Bashkimit Evropian në Prishtinë, Natalyia Apostolova, tha se Kosova është vonuar në zbatimin e reformave të agjendës evropiane.

Zonja Apostolova i bëri këto komente në mbledhjen e Qeverisë së Kosovës, ku kërkoi që të përfundojnë reformat deri në muajin shtator.

“Me shumë gjasë, jam 99 për qind e sigurt, se shumica e komisionarëve të Bashkimit Evropian deri në fund të këtij viti do të japin dorëheqje dhe do të nisin fushatën për postet e reja, kështuqë ju do të përballeni me një periudhë kur ne do të kemi një kolegj i cili është shumë teknik por jo politik. Prandaj, është tepër e rëndësishme që ju ta shfrytëzoni këtë mundësi dhe të merrni atë çka mundeni deri në fund të këtij viti nga ne”, tha zonja Apostolova.

Ajo tha se Kosova duhet të përqendrohet më shumë në fusha të caktuara, siç është përmirësimi i kushteve të të bërit biznes.

“Nuk dua t’ju tregoj se sa herë ambasadorët e vendeve të Bashkimit Evropianë vijnë për t’u ankuar për faktin se ata nuk e shohin klimën e duhur për investime dhe biznes në Kosovë dhe ata kanë të drejtë”, tha zonja Apostolova.

Shefja e Zyrës së BE-së ka shprehur shqetësimin për ngecjen e procesit pët miratimin e Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit (MSA). Ajo ka thënë se afati për miratimin e kësaj marrëveshjeje ka kaluar para një viti dhe ka treguar se komisioni Evropian e ka zgjatur këtë afat, për t’i dhënë një shans Kosovës.

“Nëse e keni lexuar me kujdes strategjinë për vendet e Ballkanit Perëndimor keni mundur ta shihni se rruga e Kosovës drejt BE-së është e shtruar nga implementimi i Marrëveshjes së Stabilizim Asociimit. Këto prioritete kanë një kohë të implementimit dhe koha e përfundimit ka qenë një vit. E dimë që këto nuk janë bërë për shkak se keni pasur procese zgjedhore dhe formimin e qeverisë. Ju e keni humbur një vit. Komisioni ka vendosur ta shtyjë afatin e implementimit, në mënyrë që ta bëni këtë”, ka thënë Apostolova.

Ajo u ka bërë thirrje që të mos humbet kjo mundësi.

“Ne nuk e dimë se kush do të jenë komisionarët e rinj. Por, ju keni presidentin Junker që është prej politikanëve kryesorë dhe keni komisionarin Hahn që është mik shumë i mirë i Kosovës. Mos e humbni këtë mundësi”, është shprehur Apostolova.

Ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha, u shpreh e bindur se obligimet nga Agjenda Evropiane e Reformave, e njohur si ERA, do të përfundojnë brenda afatit të dhënë.

“Të gjitha do të përfundojnë deri në fund të shtatorit. Me këtë përkushtim do të arrijmë që afatin e shtatorit ta zëmë dhe që agjenda evropiane e reformave të përmbushet. Pa dyshim se nuk mjafton bashkëpunimi vetëm i ministrive jemi duke bashkëpunuar edhe me institucionet e tjera siç është parlamenti që të sigurohemi se prioritetet po përmbushen deri në fund dhe shumë nga prioritetet e agjendës së reformave tashmë edhe janë miratuar në qeveri ose janë në proces të miratimit në parlament. Angazhimi jonë do të vazhdojë”, tha zonja Hoxha.

Kosova deri më tani ka përfituar marrëveshjen e stabilizim asocimit me Bashkimin Evropian, por mbetet e fundit në proceset integruese në rajon ndërsa është në pritje që të përfshihet ne regjimin e udhëtimit pa viza në vendet e Evropës Perëndimore. Në të gjitha proceset Kosova përballet edhe me sfidën që paraqet fakti që edhe më tej pesë nga 28 vendet anëtare të Bashkimit Evropian nuk e kanë njohur pavarësinë e saj. (r.m.)

One Response to “Apostolova: Kosova është vonuar në zbatimin e reformave”

Read below or add a comment...

  1. dahamirdr says:

    Ms Apostolova ,Kosova eshte kthyer ne pretektoriate te europrs qe nuke
    ka bere asgje per kosoven.
    Serbia vec breket nuke ja ka heq Kosoves, pantallonat , Kristen
    ja ka heq ure.
    Ju,europa me kosoven pristinen skein
    beret asgje???,
    Kosova ska Kofi
    Kosovar ska pushyet ne gjith territory
    Gjigandi I trepces nuke fuksionone
    kjo eshte pavarsi e kushtezuare.
    Ka racizem
    Vetem Kosova nuk levizine?????
    Dashamiri

Comment

*