Apostolova – liderëve të Kosovës: Mos premtoni afate për liberalizimin!

Prishtinë, 10 tetor 2018 – Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur shefen e misionit të Bashkimit Evropian në Kosovë, Nataliya Apostolova, dhe ambasadorët e vendeve të Kuintit: SHBA-së, Britanisë së Madhe, Gjermanisë, Francës dhe Italisë.

Ai i ka falënderuar qeveritë e këtyre vendeve për përkrahjen e vazhdueshme dhe të gjithanshme për Kosovën në të gjitha proceset.

Haradinaj ka thënë se institucionet e Kosovës janë të përkushtuara për përmbushjen e obligimeve që dalin nga liberalizimi i vizave.

“Vendi ynë është në rrugën e duhur për marrjen e liberalizimit të vizave dhe lufta kundër krimit të organizuar, korrupsionit dhe menaxhimi efektiv i migrimit duhet të jenë prioritare”, ka thënë Haradinaj.

Por, përfaqësuesja e Bashkimit Evropian në Kosovë, Natalya Apostolova, ka thënë se vendimi përfundimtar për liberalizimin e vizave nuk është marrë ende nga institucionet e BE-së.

Ajo i ka këshilluar udhëheqësit e institucioneve shtetërore dhe të partive politike që të mos premtojnë, sië është shprehur ajo, “afate artificiale”.

Në Prishtinë, të mërkurën, u hap fushata informuese për rregullat e udhëtimit pa viza. Kjo fushatë  është organizuar nga Ministria e Integrimit Evropian.

Kryeministri Haradinaj ka thënë se nisja e fushatës informuese ka për qëllim t’i informojë qytetarët për obligimet dhe përgjegjësitë e tyre gjatë udhëtimeve në Zonën Schengen.

Në muajin korrik, Komisioni Evropian dha rekomandimin pozitiv për liberalizimin e vizave për Kosovën.

Edhe Parlamenti Evropian votoi në favor të liberalizimit. Sfida kryesore tani mbetet te ministrat e Brendshëm të vendeve anëtare të BE-së, të cilët duhet të japin vlerësimet e tyre. (r.m.)

Comment

*