Ardian Pepa fiton konkursin për shtatoren e Skënderbeut në Lezhë

Tiranë, 18 tetor 2018 – Shtatorja e Skënderbeut që do të vendoset në qendër të Lezhës do të jetë vepër e skulptorit Ardian Pepa.

Pepa u shpall fitues i konkursit për shtatoren e Heroit Kombëtar, të shpallur nga Bashkia e Lezhës.

Shtatorja e Skendërbeut në këmbë, me shpatën në dorë vertikalisht teposhtë dhe me këmbën e djathtë përpara, do të jetë e lartë tri metra e gjysmë.

Autori i saj, Ardian Pepa, shpjegon idenë e tij për shtatoren.

“Kur erdhi dhe mblodhi Kuvendin erdhi me këmbë të mbarë dhe unë e kam nisur me këmbën e djathtë, siç e kemi edhe ne shqiptarët, me shpatën vertikal që tregon vendosmëri dhe guxim”, tha ai.

Kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, tha se shtatorja është simboli që i mungonte qytetit. Ai shfaqi shpresën se ajo do të jetë gati deri më 2 mars të vitit që vjen.

“Ishte figura që i mungonte Lezhës. Shpresoj që të arrijmë ta realizojmë në kohën e duhur. Dëshirojmë që më 2 mars, në përvjetorin e Besëlidhjes, të jetë gati”, tha ai.

Shtatorja e Gjergj Kastriotit – Skenderbeut do të vendoset në krahë të memorialit të Skënderbeut, më 2 mars të vitit të ardhshëm, në përkujtim të 575-vjetorit të Besëlidhjes së Lezhës. (r.m)

Comment

*