Arifi: Korrigjimi i kufirit s’mund të bëhet duke e dëmtuar Kosovën

Preshevë, 7 gusht 2018 – Kryetari i Preshevës, Shqiprim Arifi, ka theksuar se ideja e korrigjimit të kufirit në mes Prishtinës dhe Beogradit, nuk duhet të realizohet duke e dëmtuar Republikën e Kosovës.

Arifi, në një intervistë për Telegrafin, ka thënë se çdo lëvizje eventuale e kufijve duhet të bëhet mbi tri baza: mosdëmtimin e Kosovës, moslejimin e ndarjes së pjesshme të Luginës në ndonjë ndryshim eventual, dhe marrjen e çdo vendimi në harmoni me qëndrimet e Bashkimit Evropian (BE) dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës (SHBA).

Arifi ka theksuar se nuk dëshiron ta vlerësojë nëse tani është koha e duhur që tema e Luginës të përfshihet në dialogun mes Kosovës dhe Serbisë. Ai ka thënë se duhet të analizohet se çfarë mund të realizojë Lugina e Preshevës në situatën aktuale.

Por, ai ka ritheksuar se Lugina e Preshevës ka qenë historikisht pjesë integrale e Kosovës dhe shqiptarët, të cilët janë shumicë në këtë rajon, kërkojnë të bashkohen me Kosovën.

I pari i Preshevës ka folur edhe për atë që ai e ka quajtur “mungesë të përkujdesit” të dy shteteve shqiptare ndaj Luginës së Preshevës, duke theksuar se shqwiptarët e Luginës kanë mbetur pa përkrahje institucionale nga Tirana dhe nga Prishtina.

Ai ka thënë se ambasadat e SHBA-ve dhe Gjermanisë në Serbi e kanë shtuar përkujdesjen ndaj shqiptarëve në Luginë të Preshevës. (r.m.)

Comment

*