ARMO ndërron pronar: Ikën Rezar Taçi, vjen një firmë e padëgjuar më parë

Mes anëtarëve të rinj rezulton edhe avokatja Erinda Ballanca e cila ka përfaqësuar në disa procese kryeministrin Sali Berisha

 

Armand Mero

Në Shqipëri, kompania ARMO, e rafinimit të naftës, e zotëruar nga sipërmarrësi shqiptar Rezart Taci ka ndryshuar pronësi, duke kaluar në zotërim të një kompanie me emrin “Heaney Assets Corporation” mbi përbërjen dhe origjinën e së cilës nuk ka asnjë të dhënë. Ndryshimet janë pasqyruar dje në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit, ku ka ndërruar edhe i gjithë këshilli mbikqyrës i kompanisë, ku administrator është caktuar Fation Veizaj, një sipërmarrës shqiptar me lidhje biznesi me zotin Taci, ndërsa mes anëtarëve tw rinj rezulton edhe avokatja Erinda Ballanca e cila ka përfaqësuar në disa procese kryeministrin Sali Berisha, por edhe një Banke azere së cilës zoti Taci i kishte marrë një hua prej 75 milion eurosh për blerjen e Armo-s.
Ndërsa muajin e fundit Armo, kompania e vetem që zotëron dy rafineri të përpunimit të naftës, u vu në qendër të vëmendjes për shkak të bllokimit të aktivitetit të saj nga zyra e Tatimeve, që prej ditës së djeshme ajo, zyrtarisht, nuk i përket më kompanisë Anika Enterprise, e cila zotërohet nga sipërmarrësi Rezart Taci. Pasi u ble në 2008 në përfundim të një procesi privatizimi i cili ngriti dyshime të shumta, pa u mbushur ende 5 vjet, pronësia i ka kaluar një tjetër kompanie “Heaney Assets Corporation”. Të paktën kështu rezulton nga të dhënat në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit të ndërmarrjeve.
Pronarja e re e ARMO-s mbetet ende një enigmë. Nuk ka asnjë të dhënë se kush qëndron pas saj dhe cilët janë zotëruesit e aksioneve të kësaj kompanie. Në Qendrën e Regjistrimit, ku ndryshimet janë pasqyruar gjatë ditës së djeshme, pavarësisht se ishte ditë zyrtare pushimi, rezultojnë vetëm zëvendësimet e emrave në përbërjen e Këshillit mbikqyrës së ARMO-s dhe të pronares së vjetër, kompanisw Anika Enterprise. Në të dy rastet administrator shfaqet Fatjon Veizi, një sipërmarrës me lidhje të forta biznesi dhe ortakërie me zotin Taci. Po ashtu bie në sy përfshirja në Këshillin Mbikqyrës së avokates Erinda Ballanca, e cila ka mbrojtur në disa procese gjyqësore interesat e kryeministrit Sali Berisha, ndërsa vitin e kaluar ishte përfaqësuesja ligjore e Bankës Ndwrkombwtare tw Azerbajxhanit, me kapital shtetwror, e cila kërkoi bllokimin e pasurive të zotit Taci për shkak të një borxhi të pashlyer prej 75 milion eurosh që ai i kishte marrë me premtimin që t’i përfshinte si aksionerw në kompaninë ARMO. Mes anëtarëve të tjerë rezulton edhe emri i Ibrahim Hastopallit, drejtor kabineti i ministrit aktual të ekonomisë Florion Mima, si përfaqësues i palës shqiptare që zotëron ende 15 përqind të aksioneve të ARMO-s, si dhe i Abe Halatit, i cili rezulton të jetë këshilltar i presidentit të kompanisë minerare ndërkombëtare të Azerbajxhanit.
Deputeti socialist Erion Brace hodhi mbrëmë dyshime mbi këtë transaksion, rreth të cilit ishte folur prej ditësh në disa media shqiptare, sipas së cilave ARMO i kalonte azerëve. Në faqen e tij në Facebook, zoti Brace thotë se dhe më parë sipërmarrësi Taci ka përhapur “lajme të pavërteta për shitje apo blerje klubesh, kompanish me vlera me shumë zero, që në fund ose dështojnë ose janë mashtrime”, shkruan zoti Brace i cili kujton se sipas kontratës së privatizimit “kompania Armo është e kufizuar brenda 5 viteve të shesë aksionet e blera me një kontratë të votuar në parlament”, ndërsa shton nga ana tjetër se “Qeveria e Shqipërisë zotëron 15% të aksioneve, për pasojë asnjë shitje nuk mund të ndodhë pa miratimin e Qeverisë dhe deri më sot Sali Berisha nuk ka bërë ndonjë njoftim publik për dhënien e një miratimi të tillë”, shprehet deputeti socialist. Ai ngre dyshimet edhe për faktin se sic nënvizon “ARMO ka një sërë detyrimesh financiare ndaj: një banke azere; dy bankave shqiptare; kompanise publike Albpetrol, furnizuesve të tjerë në mallra e shërbime; organeve fiskale shqiptare; punëtorëve për paga, sigurime etj. Vlera e këtyre detyrimeve arrin në disa dhjetëra milionë euro”, shkruan ai në faqen e tij në facebook.
Sipërmarësi Rezart Taçi u vu në qendër të vëmendjes edhe vitin e kaluar kur ai u shfaq si zotëruesi i aksioneve të konsorciumit që ofroi 850 milion euro për blerjen e Albpetrolit e cila dështoi pasi kompania nuk arriti të derdhte 20 përqind të vlerës së ofertës para nënshkrimit të kontratës. Edhe ky proces u vesh me hije dyshimi. Konsorciumi kishte deklaruar se kishte ngrirë në formën e garancisë 85 milion euro në favor të shtetit shqiptar, por kjo shumë mungon ende sot e kësaj dite në buxhetin e shtetit. (VOA)

Comment

*