Arrestohen 7 aktivistë të VV-së që shkruanin parulla kundër dhunës ndaj grave

Prishtinë, 10 gusht 2018 – Policia e Kosovës i ka arrestuar shtatë aktivistë të Vetëvendosjes, të cilët po shkruanin parulla përmes të cilave e kritikonin policinë për mosreagimin me kohë për parandalimin e vrasjes së Valbona Nrecajt dhe vajzës së saj 9 vjeçare, në Brekovc të Gjakovës.

Në një njoftim të Vetëvendosjes thuhet se aktivistët: Arlinda Gashi, Guxim Krasniqi, Uran Hasani, Kujtim Hasani, Ndriçim Berberi, Blin Shabani dhe Gerolld Nikoliqi janë arrestuar derisa po shkruanin parullat “Gratë dhunohen, policia flen”.

“Policia e Kosovës, e paaftë dhe e dështuar për t’i mbrojtur gratë nga dhuna dhe vrasjet, i ka arrestuar mbrëmë pas mesnate shtatë aktiviste e aktivistë deri sa po shkruanin parulla në Gjakovë mbi vrasjen e grave. Parulla ‘Gratë dhunohen, policia injoron’ është tregues për përkushtimin e institucioneve ndaj vetë qytetarëve të saj. Institucionet flenë kur duhet të kryejnë punën e tyre dhe tregohen syçelë për t’i penguar aktivistet që kërkojnë drejtësi”, thuhet në një postim të Vetëvendosjes

“Parullat janë shkruar edhe te Gjykata Themelore në Gjakovë dhe ne e mbajmë përgjegjës komplet sistemin e drejtësisë për këto vrasje”, thuhet më tutje në njoftim.

Vetëvendosje ka paralajmëruar për sot edhe organizimin e një proteste në Gjakovë kundër dhunës ndaj grave.

“Ne nuk mund të presim e shohim se si emrat e grave rrisin listat e vrasjeve. Prandaj sot në Gjakovë protestojmë për drejtësinë, për jetën, kundër dhunës, kundër mizogjinsë, kundër diskriminimeve”, thuhet në njoftimin e Vetëvendosjes.

40 vjeçarja, Valbona Nrecaj dhe vajza e saj 9 vjeçare, u qëlluan për vdekje mbrëmjen e 7 gushtit. Dorasi dyshohet të jetë ish-bashkëshorti i gruas së ndjerë. (r.m.)

Comment

*